Shtimja përfiton ndërtimin e gjashtë shtëpive nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Ekzekutivi i Komunës së Shtimes pas kërkesave të vazhdueshme në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka përfituar ndërtimin e gjashtë shtëpive për komunitetin Ashkali dhe Rom. Këto familje deri tash nuk kanë pasur shtëpi të banimit, ndërkohë për njërën nga këto familje, komuna në bashkëpunim me organizata të ndryshme ua kanë siguruar edhe parcelën për ndërtimin e shtëpisë në vlerë prej 7 mijë e 200 eurosh.

Për ndërtimin e secilës shtëpi, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka investuar me nga 20 mijë euro, ndërkohë ekzekutivi i Komunës ka njoftuar se janë duke e përgatitur infrastrukturën rrugore dhe nëntokësore dhe dokumentet tjera përcjellëse për këto familje, raporton KOHA.

Ndërkaq, Naim Ismajli, kryetar i komunës së Shtimes, ka thënë për Kohën se pesë shtëpi tashmë janë në përfundim e sipër dhe një është në fazën e parë të punimeve.

“Nga kjo mbështetje e ministrisë kanë përfituar pesë familje nga qyteti i Shtimes dhe një familje nga fshati Gjyrkovc. Të gjitha këto familje kanë një gjendje jashtëzakonisht të rëndë ekonomike dhe pa shtëpi të banimit, por si komunë jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të përfitojmë edhe donacione të tjera qoftë nga niveli qendrorë apo nga organizata të ndryshme që t’i strehojmë edhe disa familje të tjera të komunitetit Ashkali”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij, komuna edhe në të kaluarën i ka mbështetur banorët e këtij komuniteti duke ua paguar qiranë e banimit disa familjeve që nuk kanë pasur strehim dhe po ashtu kanë rinovuar disa shtëpi të tjera në fshatin Gjyrkovcë dhe Shtime te ky komunitet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme