Tahiri: Nuk mund të ketë fqinjësi të mirë me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të pagjeturve

Prishtinë | 27 Pri 2018 | 13:18 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova nuk mund të jetë në paqe dhe të ketë fqinjësi të mirë me Serbinë pa u zgjidhur çështjet e krimeve të luftës.

Kështu tha sot në debatin parlamentar për të pagjeturit, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Ne duam paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, por dihet se pa u zgjidhur çështja e krimeve të luftës nuk mund të jemi të qetë dhe nuk do rrijmë indiferent. Është e patolerueshme që sot e 19 vite pas përfundimit të luftës kjo barrë e rëndë të mos ketë marrë fund akoma”.

“Pa dashur t’i iku përgjegjësisë sime, besoj se jeni të vedijshëm për rolin e misioneve ndërkombëtare për çështjen e mjekësisë ligjore, së pari UNMIK-ut, EULEX-it e më 14 qershor të këtij viti përfundon mandati i EULEX-it dhe përgjegjësia bie në duart tona konkretisht në Ministrinë e Drejtësisë”, tha ai.

Tahiri më tutje shtoi se ministria që ai drejton përmes Institutit të Mjekësisë Ligjorë është duke zhvilluar gërmime në komunën Gjakovës.

“Aktualisht ministria e Drejtësisë përmes institutit të mjekësisë ligjore është duke zhvilluar gërmime në komunën e Gjakovës  ku janë gjetur mbetje mortore. Gërmimet janë ende duke vazhduar dhe një kohë janë bërë planifikime për gërmime edhe në 20 lokacione të ndryshme brenda Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, ka bërë të ditur gjithashtu edhe për planin e MD-së që Institutin e Mjekësisë Ligjore ta bëjë agjenci.

Sipas Tahirit, kjo me qëllim që të rritet efikasiteti në trajtimin e rasteve me të cilat merret instituti.

“Përkundër punës voluminoze dhe tejet profesionale të bërë deri më tani planifikoj që Institutin e Mjekësisë Ligjore ta ngris në nivelin e agjensisë. Kjo do të bëhet me qëllim që të rritet efikasiteti në trajtimin e këtyre rasteve dhe të intensifikohen aktivitetet edhe më tutje në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturëve”, tha kreu i MD-së.

Të ngjashme