UBT e shqetësuar nga mungesa e hapësirave të gjelbra në qytete

Prishtinë | 06 Mar 2017 | 14:46 | Nga

Kosova vazhdon të jetë vendi me mungesë të madhe të  hapësirave të gjelbra. Këtë konstatim e nxjerr profesori në UBT, dr.Nexhat Balaj, sipas të cilit kjo ndodh për shkak të ndërtimeve të njëpasnjëshme. Andaj, sipas tij shtohet nevoja që të ndërmerren iniciativa në favor të mjedisit.

“Ndërtimi i shumë objekteve të banimit: shtëpi, dyqane si dhe sheshe, kanë ndikuar në rritjen e kërkesave për bimë zbukuruese si dhe për rritjen e dukshme për përdorimin e një arkitekture moderne të gjelbërimit”, ka thënë profesori i UBT-së, në fushën e Ekologjisë Urbane dhe Hortikulturës, Nexhat Balaj.

Ai shton se hapësirat  e gjelbra janë treguesi më i mirë për banorët, për shëndetin dhe cilësinë  e jetesës, sidomos në zonat urbane.

“Duhet të përmirësohet niveli i jetës  në Republikën e Kosovës, sepse ka një zhvillim të madh që kanë marrë fushat e ndryshme të ndërtimit”, ka vijuar ai, duke bërë thirrje për investime në sipërfaqe të gjelbra, pasi që sipas tij, “përveç karakterit estetik,  që zbukurohen gjithnjë e më shumë qytetet, ato kanë edhe efekte pozitive në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, ka thënë Balaj, duke u përqendruar në kryeqytet.

Balaj tha se në sipërfaqet e gjelbra bëjnë pjesë elemente nga më të ndryshmet, por elementi bazë dhe faktori kryesor që përcakton kompozimin e tyre estetik mbetet gjithmonë bimësia dekorative.

“Bimët e gjelbra realizojnë hijezimin e sipërfaqeve të shtruara dhe reflektuese, duke ulur ndjeshëm temperaturën dhe rrezatimin termik, pastrojnë ajrin nga dyoksidi i karbonit, gazrat dhe pluhurat e dëmshëm për shëndetin e njeriut dhe e pasurojnë atë me oksigjen. Bëjnë zbutjen e zhurmave në zonat industriale dhe pranë rrugëve automobilistike si dhe ulin temperaturën gjatë verës”, është shprehur Balaj.

Kosova vlerësohet se gjendet në zonën e rrezikshmërisë për nga ndotja e ambientit. Ajri konsiderohet relativisht i ndotur, lumenjtë e degraduar nga bizneset ilegale, fushat e gjelbra të dëmtuara etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme