Vetëvendosje: Kjo që po bën PSD-ja, pafytyrësi dhe e neveritshme

Prishtinë | 15 Dhj 2018 | 14:14 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe deputetja e kësaj partie Albulena Haxhiu kanë mbajtur konferencë për medie, pas caktimit të seancës së jashtëzakonshme për miratimit e Projekt-Rezolutës për dialogun të iniciuar nga PSD-ja, raporton Ekonomia Online.

Konjufca, ka njoftuar se Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e seancës së sotme, ndërsa ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi.

Sipas tij, qeveria në momentin kur ka qenë gati për të rënë nga qeverisja, është ngritur nga PSD-ja me një projekt të sajin.

“Dje u miratuan avancimet e FSK-së drejt një ushtrie të kompletuar dhe ushtarët nuk e lanë entuziazmin e popullit të zgjatë as gjashtë orë. Menjëherë u njoftua se do shkojnë në negociata me Serbinë. Pra, kur po është çështja ngutia, këtu në Kosovë nuk po ka asgjë tjetër për nguti, as për shëndetësinë, as për me luftu korrupsionin, në këtë vend po ka nguti vetëm për një proces, vetëm kur janë në pyetje negociatat me Serbinë. Vetëm për këtë kemi pas seanca të jashtëzakonshme”, tha Konjufca, raporton EO.

“Me fjalë të tjera rënien e këtij pushteti, të kësaj qeverie që kurrë nuk e ka ditë sa numra i ka pas, i ka pas numrat e brishtë në Kuvend dhe pas dështimit në Interpol, në dështimin e vizave, rënia e kësaj qeveria ka qenë e sigurt mirëpo doli në skenë në momentin më kritik PSD-ja për me iu gjet kësaj qeverie në ditët e saj më të vështira dhe është duke e shpëtuar këtë qeveri sepse po bëhet asistencë e saj”, tha ai.

Ai i ka kërkuar falje elektoratit të Vetëvendosjes pse në listat e tyre ka pasur njerëz që i ndërrojnë qëndrimet e tyre, siç tha ai si çorapet.

“I kërkoj falje një pjesë të elektoratit të VV-së, pse kemi vendosë në listat tona kësi njerëzisht, që i ndërrojnë qëndrimet politike sikur çorape. Kjo është pafytyrësi, e neveritshme çka po bën PSD-ja. Pse presidenti i ka vegëzat e qeverisë, për me rrëzuar Ramush Haradinaj kur të don ai, kësaj iu ka nënshtruar ambicia e kryeministrit me vazhdu qeverisjen. Mirëpo e vetmja mënyrë si ti kenë 61 vota, edhe për buxhetin që ende nuk është votu, e vetmja mënyrë është që PSD-ja të hyjë në sqetullën e kësaj qeverie”, tha Konjufca.

“Brenda VV-së as ëndërr nuk kishin mundur me e pa këtë bashkëpunim me qeverinë. Ajo që është e pafalshme është me i marrë vizat me kauzë të VV-së kundër dialogut me Serbinë dhe të gjithë ata qytetarë që kanë votu me ia keqpërdorë votën”, tha ai, raporton EO.

Ndërsa për Shpend Ahmetin si kryesues i këtij dialogu, ka thënë se çështja nuk është vetëm tek një person, por tek kolektivi.

Deputetja Albulena Haxhiu, tha se për Vetëvendosjen kjo seancë është e papranueshme.

“Për VV-në kjo seancë është e papranueshme për këtë arsye ne nuk do të jemi në seancë. Dialogu nuk po ecë tutje, projekti i Hashim Thaçit nuk po ecë dhe PSD-ja po tenton ta shtyjë tutje. Po i duhet Limaj e Ahmeti për t’ia dhënë legjitimitetit sepse këtë nuk ia ka dhënë kushtetuta e as kuvendi. Aventurat e Thaçit duhet të shpallen të pavlefshme”, tha Haxhiu.

Të ngjashme