Yagcilar: Kontrata e Reformës Sektoriale ka mundësuar një fokus në reformat kyçe

Prishtinë | 27 Qer 2019 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

U mbajt Seminari për Monitorimin e Treguesve të Kontratës për Reformën Sektoriale të Reformës së Administratës Publike në Kosovë. Ministri i MAP-it, Mahir Yagcilar, në fjalën tij, përgëzoi ekipin e vlerësimit nga Zyra e BE-së për punën e tyre, duke thënë se, reformimi i administratës publike është prioritet kyç për Qeverinë e Kosovës, duke besuar se rezultatet e këtij vlerësimi dëshmojnë për punën e bërë. Treguesit në Kontratën e Reformës Sektoriale janë identifikuar nga dokumentet ekzistuese strategjike të qeverisë, prandaj përfaqësojnë një nivel të lartë të pronësisë në këtë proces.

Duke folur për Kontratën e Reformës Sektoriale, ministri Yagcilar tha se, kjo kontratë  ka mundësuar një fokus në reformat kyçe, gjithashtu ndihmon në lehtësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, duke  besuar se rezultatet tregojnë arritje të rëndësishme, duke shtuar se  kemi bërë përparim shumë të rëndësishëm.

Ministri Mahir Yagcilar, në vazhdim te fjalës së tij, veçoj vendimin e Kuvendit të Kosovës, për miratimin e tre ligjeve të paketës legjislative për reformën e administratës publike dhe fillimin e procesit të racionalizimit të agjencive.

Ministri Yagcilar theksoi se  në ditët në vijim, mund të pajtohemi që procesi i racionalizimit të zbatohet në mënyrë efektive, sepse është e rëndësishme për qytetarët dhe për një administratë publike të përgjegjshme, efektive dhe transparente. Kosova ka përmbushur detyrimet e saj dhe tani Komisioni Evropian duhet të përmbushë detyrimet e veta.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ministri i  MAP-it, Mahir Yagcilar, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Komisioni Evropian po ofron për Qeverinë e Kosovës, në procesin e reformës së administratës publike. Partneriteti ynë ka qenë vendimtar për rezultatet që kemi arritur dhe do të vazhdojë të jetë vendimtare për të zgjidhur me sukses sfidat që kemi.

Në këtë seminar morën pjesë përfaqësues nga institucionet e Kosovës si Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, Hilmi Jashari,  Avokat  i Popullit, Lirak Çelaj, zëvendësministër në Ministrinë e Integrimeve e Evropiane, Mustafa Grainca, zëvendësministër i  Ministrisë së Financave, si dhe përfaqësues nga Zyra e BE-së.

Gjatë këtij seminari, u treguan rezultatet e para të vlerësimit të ekspertëve të BE-së. Kontrata e Reformës Sektoriale, është një kontratë mes  Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga EUROPE Ltd dhe ECORYS.

Të ngjashme