Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e raportuar nga mediat dje në “Festën e Abetares” si rast diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian.
Pasi që ka vizituar disa klasa të integruara të mësimit të rregullt, ministrja Nagavci, e shoqëruar nga drejtori i DKA-së në Pejë, Naser Gega, kanë biseduar me udhëheqës të shkollës dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për punën që bëhet në këtë shkollë, e cila që ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë.
Ministrja Nagavci ka theksuar se pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne dhe si të tilla janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona.
Ministrja tha se si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse, ndër të tjera kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona. Ajo theksoi se është e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe mediave e shoqërisë civile.
Duke folur për rastin e ndodhur, ministrja Nagavci tha se gjatë ditës së sotme, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, megjithatë, ajo sqaroi se me sa pamë nga vizita në shkollë bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme.
Megjithatë, ministrja Nagavci theksoi se duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të ndershëm dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar.