Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), kanë lansuar Programin “ShER” (Suistanble Higher Education and Research in Kosovo), raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se për tre vitet e ardhshme, ky Program do të prekë aspekte thelbësore të arsimit të lartë, ku rezultatet pa dyshim do të jenë pozitive dhe të dobishme.
Ajo më tej shtoi se ky projekt është i hartuar duke marrë parasysh nevojat aktuale kërkesat konkrete të arsimit të lartë në Kosovë, zhvillimet në vendet e zhvilluara jo vetëm në kuadër të BE-së.
Nagavci përmendi financimin e institucioneve të arsimit të lartë në bazë të performancës, me synimin në rishikimin e përmirësimin e statuteve të këtyre institucioneve.
Ajo pohoi se gjatë këtij mandatit janë shënuar një sërë arritjesh me rëndësi në fushën e arsimit të lartë dhe hulumtimit, duke përmendur hartimin e strategjive e plotësim ndryshimin e ligjeve.
“Në këtë nismë, Ministria e Arsimit do të bashkërendojë veprimet dhe financimin me fondet e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, përmes një konsorciumi të përbërë nga partnerë që i njohin problematikat e arsimit në Kosovë. Projekti është hartuar duke marrë parasysh nevojat aktuale dhe kërkesat konkrete të arsimit të lartë në Kosovë, duke përfshirë edhe reformat e rëndësishme në këtë sektor. Këtu hyjnë disa procese, si financimi i Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) në bazë të performancës, rishikimi dhe përmirësimi i statuteve të IAL dhe harmonizimi i rregulloreve, implementimi i Programit Kombëtar të Shkencës etj. Vlen të theksohet puna për Ligjin e ri për veprimtarinë kërkimore-shkencore, i cili është rezultat i dy ligjeve të mëparshme”, tha Nagavci.
“Gjatë mandatit tonë, në Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit kemi shënuar një sërë arritjesh me rëndësi në fushën e arsimit të lartë dhe hulumtimit, duke përfshirë: Aprovimin në Kuvend të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, dhe rikthimin e kësaj Agjencie si anëtare e asociuar në ENQA, Aprovimin në Kuvend të Programit Kombëtar të Shkencës, Aprovimin në MAShTI të UA për financimin e IAL bazuar në performancë, Aprovimin në Komisionin për Arsim të Statutit tëri të Universitetit të Prishtinës, Anëtarësimin e plotë të Kosovës në Horizon Europe, Lirimin nga pagesa të studentëve në universitete publike, Aktivizimin e shumë skemave të bursave për studentët e shkëlqyer, studentët e komuniteteve, vajzat në STEM, studentët në top universitetet botërore etj, Përkrahja e projekteve shkencore në Kosovë dhe bashkëpunimet Kosovë-Shqipëri”, u shpreh Nagavci.
Ambasadori Austriak në Kosovë, Georg Schnetzer, tha se shteti i tij është donatori më i madh në fushën e arsimit, investim ky që siç pohoi ai nuk po shkon huq ngase janë arritur shumë rezultate.
Po që tha se për një arsim sa më cilësor duhet të bëhen një varg reformash, raporton EO.
“Siç e dini Austria është donatori më i madh në fushën e arsimit, unë jam dëshmitar i shumë arritjeve. Një arritje tjetër e përpjekjeve ka qenë procesi i agjencisë së akreditimit. Të gjitha arritjet kanë dhënë rezultate konkret për të qenë koherent me standarde evropiane. Po theksoj se kemi dizajnuar këtë program me Ministrinë e Arsimit, duke u ndërtuar me rezultate konkrete. Me programin dëshirojmë të kontribuojmë në një arsim të lartë sa më cilësor”.
“Dëshirojmë të vazhdojmë bashkëpunimin me MAShTI-n si dhe me Agjencinë e Akreditimi, universitetet publike e shoqërinë civile. Reformimi i universitetit të lartë kërkon përpjekje të përbashkëta dhe shpresojmë që me këtë ngjarje të fillojmë punën siç e kemi nisur për të shtyrë reformat në arsimin e lartë”, deklaroi ambasadori austriak.