Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, ka komentuar deklaratat e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, pas mbledhjes së kryesisë së këtij subjekti politik.
Nagavci u ka rikujtuar anëtarëve të LDK-së se edhe në propozimet e tyre kanë ofruar të ndajnë në mënyrë të barabartë marrjen e përgjegjësive në qeverisje, ose madje më shumë se balancim të qeverisjes.
Pas deklaratës së Mustafës që deri në fund të javës të dakordohen për arritje të marrëveshjes ose të mosmarrëveshjes Nagavci ka thënë “shumë mirë që kjo marrëveshje të arrihet deri në fund të javës.
Unë po e shof si vullnet e gatishmëri, uroj të mos jetë kushtëzim”.
Postimi i plotë:
Numërimi prapa i ditëve për votimin e Qeverisë ka filluar nga sot.
E vlerësoj takimin e Kryesisë së LDK-së dhe e shof si hap përpara në arritjen e marrëveshjes.
Pajtohem plotësisht me deklaratën e zt. Mustafa “Të përkushtuar që të punojmë për një punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre…”
Në linjë të njëjte është edhe LV! andaj dhe në propozimet tona kemi ofruar që të ndajmë në mënyrë të barabartë marrjen e përgjegjësive në qeverisje, ose madje më shumë se balancim të qeverisjes duke i besuar LDK-së udhëheqjen e 6 ministrive përderisa ne do të qeverisim me 5 ministri.
Sa i përket ndarjes së pushteteve, këtë e përcakton Kushtetuta në nenin 4 dhe LV! është e prirur dhe zotohet për respektimin e saj të plotë.
Sipas Kushtetutës, tashmë kemi pushtetin legjislativ të dalur nga votimi i drejtpërdrejtë dhe Kryetarin e Kuvendit që është votuar nga 75 deputet.
Duhet të punojmë që brenda afatit kushtetues të votojmë Qeverinë dhe të ndajmë përgjegjësitë ekzekutive.
Duhet të zotohemi për angazhimin e përbashkët në zgjedhjen e Presidentit Konform Kushtetutës.
Duhet të mobilizohemi për profesionalizëm të plotë e krijim të kushteve për çkapjen e pushtetit gjyqësor dhe të institucioneve që mbrojnë rendin kushtetues, integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike.
Besoj se një marrëveshje e tillë plotëson pritshmëritë dhe respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pasi kemi një shprehje deklarative të vullnetit të përfaqësuesve të LDK-së , pres që kjo të realizohet edhe praktikisht.
Shumë mirë që kjo marrëveshje të arrihet deri në fund të javës. Unë po e shof si vullnet e gatishmëri, uroj të mos jetë kushtëzim. Dhe kur ky vullnet ekziston s’ka asnjë kusht parimor që mund të pengojë.