Nagavci: Ligji për Specialen duhet të jetë juridikisht i qëndrueshëm, kërkon strategji shtetërore

Prishtinë | 20 Tet 2026 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar lidhur me kërkesat që Presidentja ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim ligjin për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Përmes një reagimi në Facebook, Nagavci ka shkruar se LVV-ja kishte ngritur shqetësime për nxitimin me të cilin ishte proceduar ligji, për përmbajtjen e tij dhe për problemet e mundshme kushtetuese.

“Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, që në fillim kemi ngritur shqetësimet tona për nxitimin me të cilin po procedohej ky ligj, për përmbajtjen e tij dhe për problemet e mundshme kushtetuese. Qëndrimi ynë ndaj Gjykatës Speciale ka qenë i qartë që nga viti 2015. Kemi kundërshtuar themelimin e saj dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Megjithatë, kemi theksuar se ndryshimet e propozuara ligjore nuk i shfuqizojnë aktgjykimet, nuk e zëvendësojnë procesin e apelit dhe nuk sigurojnë kthimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në atdhe”, thuhet në reagimin e saj.

Ajo ka kërkuar një strategji të mirëfilltë shtetërore, përgatitje serioze juridike për procesin e apelit dhe angazhim diplomatik për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.

“Pavarësisht rezervave tona, e kemi mbështetur ligjin, me dëshirën që çdo nismë në mbështetje të çlirimtarëve të japë rezultate konkrete. Sot, kur po kërkohet rishqyrtimi i tij, rikthehen në vëmendje pikërisht shqetësimet që i kemi ngritur para miratimit. Kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë një strategji të mirëfilltë shtetërore, një përgatitje serioze juridike për procesin e apelit dhe një angazhim të fuqishëm diplomatik për të mbrojtur të vërtetën historike të luftës çlirimtare të Kosovës. Drejtësia për çlirimtarët kërkon seriozitet, përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje juridikisht të qëndrueshme, jo vetëm miratimin e ligjeve me procedura të përshpejtuara”, shkroi Nagavci.

Të ngjashme