Kërkesa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e 22 dhjetorit, për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftë në Kosovë, do të mbetet edhe më tej dhe do të dalë në votim, thotë Nait Hasani.
Deputeti i Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës, Nait Hasaini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kërkesë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është bërë për ndryshimin e karakterit etnik të gjykatës dhe të mos gjykohen vetëm pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por të gjithë ata që kanë bërë krime të supozuara, përfshirë edhe individët e mundshëm nga bashkësitë tjera etnike në Kosovë.
“Ne e kundërshtojmë. E kam kundërshtuar dhe do ta kundërshtoj një gjykatë të tillë sepse nuk është një gjykatë që e dënon krimin, por që kërkon të dënojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin që e ka bërë. Kërkesa ime personale dhe e 43 të nënshkruarve, ka qenë, është dhe do të mbetet si kërkesë drejtuar Kuvendit për shqyrtimin e plotësim ndryshimin e ligjit, nga një Gjykatë Speciale që është tash me Dhoma të Specializuara, të krijohet një gjykatë në Kosovë, e cila do të merret me trajtimin e rasteve të dyshuara për krime edhe të komuniteteve të tjera, sikurse krimet serbe në Kosovë”, thotë Hasani.