Qytetarë të shumtë janë mbledhur sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kuadër të “Natës së Pritjes”, në prag të shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, raporton Ekonomia Online.
Me flamuj të Kosovës dhe të UÇK-së, qytetarët kanë dalë në shesh për ta pritur vendimin që pritet të shpallet nesër në Hagë.
Nga sheshi, nënkryetarja e PDK-së, Besiana Musmurati, tha për Ekonomia Online se UÇK-ja është e lidhur ngushtë me popullin e Kosovës.
“UÇK-ja është e popullit dhe populli është i UÇK-së.”
Musmurati u shpreh se shpreson që vendimi të jetë “në anën e popullit”, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Ajo tha se më së shumti i mungon energjia dbe inspirimi i tyre.
“Për energjinë e tyre, për inspirimin që e sjellin dhe për punën e tyre që Kosovën e kanë qitur gjithmonë para vetes”, tha ajo.
Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Ibrahim Rugova”, në pritje të vendimit nga Haga.





