Largimi i Gianluigi Buffonit nga Paris Saint-Germaini ia ka hapur derën për në Parc des Princes portierit të Real Madridit, Keylor Navasit. Klubi francez e ka shprehur interesimin për futbollistin nga Kosta Rika.
Keylor Navas e ka ditur që pothuajse tri javë se ai nuk bën pjesë në planet e trajnerit të Real Madridit, Zinedine Zidanit, për sezonin e ardhshëm. PSG-ja tashmë i kanë bërë ofertë për ta larguar atë nga Santiago Bernabeu.
Marca ka mësuar se negociatat mes këtyre dy palëve veçse kanë filluar dhe gjithçka është duke shkuar në mënyrë të përsosur. Së shpejti pritet të arrihet edhe marrëveshja.
32-vjeçari do të transferohet në Parc des Princes, ku do të garojë me Alphonse Areolan për pozitën e portierit të parë për sezonin e ardhshëm. Areola i zhvilloi 31 ndeshje gjatë sezonit 2018/19, në krahasim me 25 të Buffonit.
Cilido që të jetë roli i tij në Paris, Keylor është i bindur se ai do të luajë mjaftueshëm minuta sa për të qenë i lumtur, pasi që PSG-ja e vlerëson shumë përvojën e tij. Të gjitha palët besohet se janë pro kësaj marrëveshjeje.
Përkundër që negociatat janë ende në fazat fillestare, Marca raporton se marrëveshja mund të arrihet shumë shpejt dhe se Keylor mund të zhvendoset te një kryeqytet tjetër evropian për ta vazhduar karrierën.