Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka mbajtur konferencën e nëntë me temë “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019″, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj po e cilëson si të suksesshëm punë e institucionit që drejton gjatë këtij viti.
Ai ka shtuar se po punohet në vazhdimësi në përmirësim të performncës, imazhit të gjyqësorit e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Jemi duke i ndërmarrë të gjitha hapat që kontribuojnë në një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, rritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës dhe imazhit të sistemit gjyqësor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar “.
“Gjatë këtij viti kanë hyrë në fuqi ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji për Gjykatat dhe Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Ndryshime këto të cilat kanë imponuar nevojën e një angazhimi të jashtëzakonshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, ka potencuar se në luftën kundër korrupsionit rezultatet nuk janë të kënaqshme.
“Një ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohet sot sistemi i drejtësisë në përgjithësi konsideroj që është lufta kundër korrupsionit, fenomeni i shëmtuar dhe tepër i dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë kosovare në tërësi. Në këtë drejtim rezultatet e deritanishme nuk janë të kënaqshme dhe kërkohen rezultate konkrete”.
Mbështetje më të madhe nga instiucionet për sistemin e drejtësisë kërkoi kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni.
“Nevoja për mbështetjen e sistemit të drejtësisë është e madhe, kjo nevojë na duhet fillimisht ta kemi prej institucioneve tona vendore dhe pastaj, natyrisht edhe prej partnerëve ndërkombëtar. Të angazhuar që të gjithë mund ta bëjmë një sistem të drejtësisë së pavarur, transparent, efikas e llogaridhënës”.
Shefi për Sundimin e Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuk, derisa ka përmendur disa nga të arriturat e sistemit gjyqësor të Kosovës, por edhe mos zbatimin e ligjeve.
“Ligji për kompetenca të zgjeruara të konfiskimit, ky ligj është miratuar në vitin 2018, ka hyrë në fuqi këtë vit, por ende nuk shohim shumë rezultate të prekshme. Ky ligj duhet të implementohet, është një ligj tejet modern, tejet i mirë dhe duhet t’i inkurajojë gjyqtarët dhe prokurorët që të bëjnë çdo gjë që ta zbatojnë plotësisht”.
Shefi i këtij misionit të OSBE-së Jan Braathu, pati kritika sa i përket vonesave në shqyrtimin e lëndëve në gjykata, por që tha se viteve të fundit është rritur besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
“Ne po shohim vonesa të vazhdueshme në gjykime, aktakuza të hartuara jo adekuate, numër të pamjaftueshëm të përkthyesve të kualifikuar, dështim në përmbushje të afateve procedurale. Këtë e themi për t’i identifikuar mangësitë dhe për të gjetur mundësi”.