Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, ka mbajtur të hënën edicionin e katër të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Ditët e Gonxhës”, që përkon me 114 vjetorin e lindjes dhe 27 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, raporton Ekonomia Online.
Ky organizim u mbajt në sheshin “Nëna Terezë”, të cilat qëllim kishin kujtimin dhe kontributin e saj për popullin shqiptarë.
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, tha se përmes kontributit të Nënë Terezës, bota po e sheh ndryshe popullin shqiptar.
“Sivjet është një përvjetor i jashtëzakonshëm jo vetëm për Nënë Terezën, 45-vjetorin e shpërblimit nobel për paqe por edhe për ne se mos të harrojmë që Nëna Tereza është përfaqësuesja më e mirë, më e denjë dhe e më e madhe, në të cilin Zoti shkriu të gjitha të mira e asaj që është tradita, kultura dhe qytetërimi i lirë arbër dhe shqiptarë. Këto vlera ajo i mori në gjirin familjar në Shkup, prej babës Kol dhe nenës loke siç e quante Drana Berna Bojaxhiu, të gjitha këto i fisnikëroi me bujarinë dhe mësimin ungjillor të Jezu Krishtit. Nuk ka shqiptarë dhe fëmijë në djep që Gonxhja ishte motër dhe Nëne e jona por dalëngadalë po depërton zëri dhe fama e saj në nivelin botëror dhe shumë paragjykime që ishin për popullin tonë dalë ngadalë po shembën, dhe përmes Nënës Terezë bota po e sheh popullin tonë ndryshe”, tha ai.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Hasani, tha se trashëgimia e figurave të rëndësishme duhet të ruhet për brezat e ardhshëm. Ai tregoi edhe për kontributet që Nënë Tereza ka pasur për popujt nëpër botë.
“Për Shën Nënë Terezën kanë folur dhe shkruar qindra, mijëra njerëz, për këtë grua të njohur më së paku kanë folur dhe shkruar njerëzit nga vendi i origjinës së saj, sepse vlerësimet më të gjithanshme vijnë nga hapësira të ndryshme të globit. Ne si Institut përmes botimeve të veçanta por edhe përmes veprimtarisë, kulturore, shkencore në kuadër të departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut i vetmi ky në botë i kësaj natyre kemi arritur të krijojmë distancën e nevojshme të qasjes e kësaj figure, duke e liruar atë nga kornizat e ngushta të përkatësisë nacionale për t’a transferuar vëmendjen në një dioptri më të gjerë të vrojtimit të kësaj figure sepse fundja ishte vetë ajo që e zgjeroi këtë dioptri në një mënyrë që solidariteti dhe mirëkuptimi njerëzor e globalizoi, duke i fshirë kufijtë e ndasive etnike religjioze e racore”.