Shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, e pyetur për përmendjen e kandidatit Haki Demolli për president nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se LVV i ka bërë të ditur më herët emrat e kandidaturave, raporton Ekonomia Online.
Nagavci përmendi propozimet e bëra më parë nga LVV, ndërsa i bëri sërish thirrje partive opozitare që të sjellin emrat e kandidatëve.
“Në këtë fazë në të cilën jemi, domethënë ne si Lëvizje Vetëvendosje, kemi propozuar nënkryetarin e Lëvizjes, zëvendëskryeministrin zotin Glauk Konjufca dhe zonjën Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Këto kanë qenë propozimet tona. Tani jemi edhe një hap tutje, kemi ofruar mundësinë që PDK dhe LDK, qoftë me dakordim të sjellin tre emra, qoftë cilado prej tyre të sjellë një propozim ose dy, dhe partia tjetër një propozim ose dy – pra mund të jenë edhe tre propozime ku një ose dy mund të vijnë nga PDK, një mund të vijë nga LDK. Ne jemi të gatshëm që në momentin që i kemi tre propozime nga PDK dhe LDK, të tërheqim emrat e kandidatëve tanë, zotit Glauk Konjufca dhe zonjës Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe ato tre propozime të hidhen në votim në Kuvend. Dhe unë do t’u bëja thirrje partive PDK, LDK që të mendojnë dhe të propozojnë emra kredibilë, të cilët do t’i bënin nder vendit si president, me kusht që të mos jenë nga skena aktuale politike. Dhe situata është e qartë: nëse vijnë tre propozime për emra kredibilë, ne do t’i tërheqim edhe emrat tanë dhe vazhdojmë tutje, sepse jemi të bindur që edhe një palë zgjedhje të reja janë të padrejta, të panevojshme dhe nuk do të sillnin rezultate të reja”, tha ajo.
