Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës të enjten ka mbajtur protestë para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku kanë paraqitur disa kërkesa, raporton Ekonomia Online.
FSSHK-ja shprehu pakënaqësinë e thellë për ndërprerjen e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë, mospajtimin me propozimin e Qeverisë për rritje të vogël të koeficientit prej 0.5, si dhe mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale.
Gjatë protestës ata mbanin në duar pankarta me shkrime “Ndaloni mbylljen e reparteve në spitale”, “Duam kontratë kolektive”, “Mos pengoni aktivitetin sindikal”, “Stop diskriminimit në shëndetësi” e disa të tjera.
Kryetarja e kësaj sindikate, Tevide Imeri ka deklaruar se kjo qeveri “nuk dëshiron sindikata, e as dialog social”.
“Na kanë sjellë në këtë situatë pas gjithë kësaj kohe, si federatë që kemi qenë të prirur t’i prijmë dialogut social, kemi dhënë një hapësirë të mjaftueshme që të reflektojnë, megjithatë kjo ministri nuk ka asnjë sinjal se dëshiron të kenë bashkëpunim me sindikatat përgjithësisht”, ka thënë Imeri.