Organizata “Kosovo 2.0” ka mbajtur diskutimin e radhës ‘’Hajde folim: Kundërsulmi ndaj ndryshimeve klimatike, raporton Ekonomia Online.
Aty u diskutua për ndryshimet klimatike dhe mënyrat e preventivës ndaj kësaj dukurie që tashmë e ka prekur mbarë globin.
Cristina Mari, redaktore e Multimedias në Kosova 2.0 tha se Kosova është një prej vendeve më të varfra, mirëpo ka kontrata dhe projekte milionëshe e të cilat ndikojnë në mjedis.
“Kosova është prej vendeve në Evropë më të varfra, por në të njëjtën kohë ka kontrata milionëshe për projekte si “Kosova e Re”, dhe ka shumë probleme tjera për të cilat do të bisedojmë më vonë”, tha ajo.
Koordinatorja e projekteve në organizatën “Ballkan Green Foundation” Delvina Haxhijaha-Krasniqi tha se përmes organizimit të debateve mund të arrihet vetëdijesimi i qytetarëve karshi ndryshimeve klimatike dhe shkaqeve që shkaktojnë këtë fenomen natyral.
“Çfarëdo studimi është mirë me u bazua në aspektin shkencor. Pjesa e ndryshimeve klimatike lidhet ngushtë me shkencën. Edhe pse Kosova nuk është nënshkruese e marrëveshjes së Parisit dhe ne duhet me pas parasysh që të gjitha vendet duhet me e mbajt temperaturën globale. Ne mundohemi të jemi të kyçur në studime që prekin ndryshimet klimatike dhe ndarjen e ambientit. Përmes organizmit të debateve mundohemi me vetëdijesua audiencën sepse Kosova nuk është imune ndaj këtij fenomeni”, tha ajo
Hulumtuesja e lartë dhe Menaxhere Operative në INDEP, Learta Hollaj tha se këtë vit niveli i forumeve ku trajtohet mjedisi është shtuar.
“Menjëherë pas marrëveshjes së Parisit një grup organizatash kanë bërë shumë, në vitin 2016 duket sikur jemi duke folur për galaksinë, e nuk kemi hapësirë për të thënë krejt çka po ndodhë është diçka që po ndodhë në Kosovë. Ani që dëgjojmë që ne kontribuojmë pak në krahasim me vendet që bëjnë dëme më të mëdha në ambient. Ne sot Kur flasim për ndryshimet klimatike, po shohim çka po ndodh në Australi, impakti nuk ka kufizim. Brenda këtij viti, kemi parë që niveli i forumeve ku trajtohet mjedisi është shtuar, ajo qe duhet të bëhet në këtë drejtim është të alokohen mjete në këtë drejtim”, tha ajo.
Edonis Hasani nga Termokiss tha se ajo çka i ka motivuar të angazhohen ka qenë rritja e kualitetit të jetës.
“Çka na ka motivuar, është jo vetëm ajri i ndotur po është edhe një nevojë me rrit kualitetin e jetës sonë, pavarësisht moshësh. Ka qenë një lidhje globale dhe duke i parë pengesat që i kemi brenda Kosovës, prej vizave e prej harxhimi i ujit dhe djegia e thëngjillit”, tha ai.