Me rastin e Ditës Botërore të Filozofisë, Departamenti i Filozofisë, UP dhe Shoqata e Filozofëve të Kosovës organizojnë konferencën ndërkombëtare “Lufta dhe paqja”
Departamenti i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, bashkë me Shoqatën e Filozofëve të Kosovës kanë organizuar konferencën ndërkombëtare “Lufta dhe Paqja , për nder të ditës ndërkombëtare të filozofisë.
Udhëheqësja e departamentit të filozofisë në UP, Hasnije Ilazi tha se kjo temë është zgjedhur për faktin se është rikthyer në tryezat e politikës dhe jetën e njerëzve, raporton Ekonomia Online.
Ilazi shprehi edhe vështirësitë e të qenurit filozof në Kosovë. Ajo tha se për të qenë filozof nuk është e lehtë pasi njerëzit nuk janë të gatshëm të dëgjojnë dhe përkrahin një person që mendon ndryshe.
“Qëllimi i saj është që në shoqërinë kosovare të ngritet në një nivel teorik në një nivel jo vetëm të përditshmërisë, kjo temë është ajo e cila preokupon shumë dhe e ka preokupuar shumë edhe popullin tonë. Nuk është lehtë me qenë filozof në Kosovë sepse e para e punës ambient është një ambient jo shumë filozofik sepse njerëzit nuk janë të gatshëm me dëgju mendimin ndryshe ose me përkrah dikë që mendon ndryshe “, tha ajo.
Në anën tjetër, dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli shprehi nevojën që Kosova të adaptoj konceptin e paqes dhe të luftës me zhvillimet tjera.
“Shoqëria njerëzore ka nevojë për paqe . Edhe shoqëria kosovare brenda asaj shoqërore po ka nevojë dhe për luftë, jo nga aspekti i dhunës. Vendi jonë ka nevojë për një luftë të vazhdueshme që të dominojnë vlerat kundër antivlerave. Të dominojnë vlerat demokratike e vlerat kombëtare “, u shpreh dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.
Dita Botërore e Filozofisë është vendosur të shënohet në vitin 2002 nga UNESCO për të nderuar reflektimin filozofik në të gjithë botën dhe tashmë është bërë traditë që kjo ditë të përkujtohet të enjten e tretë të nëntorit, në nderim të mendimeve filozofike në botë.