Kosova po vazhdon të përballet ende me sfidën e deponive ilegale.
Pikërisht, për këtë çështje në Ditën Botërore të Mjedisit, është mbajtur një tryezë diskutimi mbi raportin “Hartëzimi dhe vlerësimi paraprak i shkallës dhe lokacionit të deponive ilegale të mbeturinave në Kosovë”, organizuar nga EcoZ me mbështetje të EULEX-it, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se format më të përhapura të krimit mjedisor janë ndotja e ujërave, ndotja industriale e ajrit, menaxhimi i kundërligjshëm i mbeturinave, prerjet ilegale të pyjeve e të tjera.
Fadil Haliti, udhëheqës i sektorit për hetimin e Krimeve të Rënda nga Policia e Kosovës tha se një nga sfidat kryesore të luftimit të deponive ilegale është mungesa e ekspertëve për vlerësim të dëmeve.
“Një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e ekspertëve të specializuar për vlerësimin e dëmeve materiale që shkaktohen gjatë një vepre të krimeve mjedisore. Në shumicën e rasteve të përcaktimit profesional, shkalla e dëmit e shkaktuar përbën elementin kyç, e dini në këtë fazë domethënë nuk po e kemi një ekspert që e bën këtë vlerësim të dëmit, po ashtu mungesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve të specializuar për këtë fushë, që do të na ndihmonte shumë sikur në vendet e Bashkimit Europian, ku zyrtarët tanë kanë parë që atje ka prokurorë specialë domethënë të specifikuar vetëm për krimet mjedisore. Një tjetër kufizim lidhet me aplikimin e masave të fshehta të krimit që ne domethënë nuk arrijmë t’i zbatojmë për shkak që veprat e krimeve mjedisore, dënueshmëria e tyre është më e vogël dhe nuk po plotësohen kushtet për t’i përmbushur elementet që me qenë qasja më profesionale dhe më e shpejtë”, tha ai.
Haliti, deklaroi se krimet mjedisore nuk duhen të trajtohen si shkelje të zakonshme ligjore, por si një vepër që prek interesat strategjike të shtetit.
“Format më të përhapura të krimit mjedisor që ne gjatë praktikës që kemi hasur si njësi, janë ndotja e ujërave dhe sipërfaqes nëntokësore, ndotja industriale e ajrit, menaxhimi i kundërligjshëm i mbeturinave, prerjet ilegale të pyjeve, shfrytëzimi i kundërligjshëm i zhavorit, rërës dhe mineraleve, degradimi i tokës dhe peisazheve natyrore, ndërtimet e paligjshme në zonat e mbrojtura, dëmtimet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore janë pak a shumë rastet që i kemi pasur deri më tani. Për përfundim, krimet mjedisore nuk duhen të trajtohen si shkelje të zakonshme ligjore, por si një vepër që prek interesat strategjike të shtetit dhe qytetarëve dhe të ardhmen e gjeneratave, për këtë arsye forcimi i kapaciteteve profesionale dhe teknike te njësia për hetimin e krimeve mjedisore, avancimi i bashkëpunimit, rritja e ndërgjegjshmërisë publike mbeten elemente të domosdoshme për një luftë më efikase kundër kriminalitetit mjedisor në Republikën e Kosovës”, shtoi Haliti.
Haliti po ashtu tregoi për gjobat e shqiptuara nga viti 2024, deri në muajt janar-maj të këtij viti.
“Policia e Kosovës ndër vite, në lidhje me mbeturinat përmes njësive të saj në terren ka gjobitur personat të cilët ka hasur në lokacione të ndryshme sa i përket hudhjes së mbeturinave dhe kjo statistikë është nxjerrë për vitin 2024, 2025 dhe 2026, për vitin 2026 përbën vetëm muajin janar dhe maj. Në bazë të ligjit për rregullat e trafikut rrugor, në vitin 2024 janë shqiptuar 33 tiketa në vlerë 100 euro, në vitin 2025 janë shqiptuar 66 tiketa, kurse në vitin 2026 janar-maj janë shqiptuar 41 gjoba sa i përket kësaj dukurie. Dënimet me gjobë në vlerë prej 200 euro për vitin 2024 janë gjithsej 186, për vitin 2025, 290, ndërsa për vitin 2026 janar-maj, janë shqiptuar 134 gjoba. Me gjobë prej 50 euro, për vitin 2024 kemi 88 gjoba, për vitin 2025, 120 gjoba, ndërsa për vitin 2026 janar-maj 91 gjoba.”, shtoi ai.
Tafë Veselaj, udhëheqës i Divizionit për Gjendjen e Mjedisit në Agjencinë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit, tregoi edhe disa nga strategjitë për menaxhimin e mbeturinave.
“Kemi strategjinë e integruar për menaxhimin e mbeturinave 2024-35 dhe kjo strategji të them të drejtën parasheh qe deri në vitin 2035, në qoftë se qeveria dhe institucionet lokale dhe qendrore e marrin me seriozitet do të ketë një investim prej 410 milionë eurosh, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe mbi 54 milionë euro, që do të presim nga donatorët e jashtëm, të cilët janë gjeneratorë jashtëzakonisht të mëdhenj për ministrinë e mjedisit. Në lidhje me riciklimin e mbeturinave, ne në kuadër të kësaj strategjie janë paraparë përmbi 240 milionë euro, të cilat janë si pako që do të investohen në ekonominë qarkore. Dokumentet e tjera të cilat janë mjaft me rëndësi në kuadër të angazhimit të mbeturinave dhe ekonomisë qarkore kemi edhe udhërrëfyesin e ekonomisë qarkore.
Kemi edhe një strategji tjetër, e cila është në kuadër të Ministrisë së Industrisë, e cila ka si qëllim mbështetjen e bizneseve deri në vitin 2030, kjo strategji mbulon ekonominë qarkore, e cila zakonisht KIESA është institucion i veçantë në kuadër të asaj ministrie, e cili ndan mjete në lidhje më teknologjinë green, të gjelbërt, por njëherit edhe për inovacion, është një udhëzim administrativ, në kuadër të politikës së Ministrisë dhe Qeverisë për ambalazhë dhe mbeturina të ambalazhit, i cili përfshin dy procese, dy sisteme mjaft me rëndësi, përdorimi i qeseve plastike në Kosovë por edhe kthimi i depozitave të diaresit”, tha ai.
Veselaj tha se aktualisht në Kosovë janë 537 deponi ilegale, për dallim nga viti 2018 kur ishin 2529.
Kurse, Linda Çavdarbasha drejtoreshë për Planifikim dhe Zhvillim në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, bëri thirrje që ndryshimi të fillojë prej popullit.
“Gjëja kryesore që mendoj që duhet të bëhet është që të vetëdijësohet popullata, e kjo të fillohet çysh prej shkollave fillore, çerdheve, të fillohet edukimi mjedisor dhe të përcillet kultura e mbrojtjes së mjedisit, besoj që kjo është hallka e parë që ne si vend ngecim. Duke kaluar pastaj edhe te hallkat tjera, që mendoj shumë mirë që sot prokuroria dhe policia janë këtu, sepse janë institucione shumë të rëndësishme sidomos në vënien dhe zbatimin e ligjit, në marrjen e masave të duhura për parandalimin e degradimit mjedisor.”, tha ajo.
Çavdarbasha, tha se Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave, aktualisht menaxhon me 4 deponi të mbeturinave, atë të Podujevës, Gjilanit, Obiliqit, Prizrenit.