Gjykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së, gjatë luftës së fundit në Kosovë ka bërë edhe një hap tjetër.
Përmes një njoftimi për media, thuhet se në kuadër të mandatit për mundësimin e procedurave të drejta dhe të sigurta, Dhomat e Specializuara të Kosovës garantojnë të drejtat themelore të të dyshuarve ose të akuzuarve për mbrojtje, si dhe ato të viktimave.
“Për mbrojtjen e të dyshuarve ose të akuzuarve dhe për pjesëmarrjen e viktimave nevojiten mbrojtës kompetent”, thuhet në njoftim, teksa tregohet se me miratimin e Kryetares, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, pas këshillimeve me gjykatësit, Administratorja, dr. Fidelma Donlon, sot nxori Direktivën për Mbrojtësit, e cila hyri në fuqi në ditën e publikimit të saj në faqen e Dhomave të Specializuara në Internet.
“Direktiva për Mbrojtësit përcakton kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve. Vetëm mbrojtës që i përmbushin kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve mund të emërohen ose të caktohen prej Administratores për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve ose të një grupi viktimash. Rrjedhimisht, ftesa për dorëzimin e kërkesave për pranim në Listën e Mbrojtësve nga sot është e hapur”, thuhet në njoftim.