Në akademinë për edukim dhe zhvillim u fol për cilësinë e arsimit, sfidat dhe pengesat që janë hasur kohëve të fundit, fitimin e njohurive dhe përdorimin e tyre në jetën e përditshme. Padyshim se nuk kaloj pa u përmendur edhe sfida nëpër të cilën po kalon arsimi, pas situatës së krijuar nga virusi Covid 19’.
Në këtë diskutim mori pjesë rektori i Kolegjit UBT, Edmond Hajrizi, ku ndër të tjera, theksoj se UBT ka krijuar kushtet e nevojshme për mësimin online dhe virtual, duke lansuar platformën për Realitet Virtual, në bashkëpunim me gjigantin e teknologjisë, EON Reality nga SHBA. Aty UBT ka krijuar mbi 20.000 mësime dhe shumë programe studimi në platformën e Realitetit Virtual.
Nga ana tjetër, profesoresha Trëndelinë Haliti, u shpreh se mbyllja e shkollave dhe tranzicioni i shpejtë nga mësimi tradicional në mësimin online ka lejuar shumë pak kohë për planifikim dhe organizim, mirëpo sipas saj, pas çdo krize, përveç sfidave shfaqen edhe mundësi të ndryshme për transformim dhe përmirësim në sistemin edukativ.
Ndërkaq profesoresha Bardha Gashi, tha se kalimi nga mësimi tradicional në atë virtual mund të jetë sfidues si për studentët ashtu edhe për mësimdhënësit, por edhe rezultatet mund të jenë të mira. Sipas Gashit, një prej teknikave që mund të përdoret është kalimi nga tabelat tradicionale në ato bashkëbiseduese elektronike.