Në Institutin Riinvest diskutohet për “Burimet Ujore në Kosovë”, probleme kryesore cilësohen mungesa e ujërave dhe keq-menaxhimi

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 12:18 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Riinvest ka organizuar diskutimin e radhës në kuadër të “Green Talks” me temën “Burimet Ujore në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë debat, në të cilin morën pjesë ekspertë të fushës nga sektori i ujërave, institucioneve dhe qarqeve akademike, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave, u vlerësua se Kosova ka mungesë të resurseve ujore dhe se menaxhimi i tyre është i domosdoshëm.

Si problem kryesor i dëmtimit të resurseve ujore u theksua se janë ndërtimet pa leje të objekteve në brigjet e lumenjve, mbeturinat në ujëra si dhe mos-edukimi i duhur i qytetarëve për ta mbrojtur mjedisin.

Alban Hashani, nga Instituti Riinvest, tha se çështja e ujërave në Kosovë, duke pasur parasysh që ka mungesë të resurseve ujore, meriton trajtim urgjent dhe meritor.

“Çështja e ujërave në Kosovë konsideroj që është çështje që meriton trajtim meritor për shkak të gjendjes me të cilën përballemi. Në esencë me të drejtë sugjerohet se burimet ujore janë një nga kufizimet që Kosova ka dhe për rrjedhojë menaxhimi i ujërave kërkon trajtim të veçantë”, tha ai.

Ndërsa Baton Begolli, këshilltar nga Këshilli Ndërministror për Ujërat (KNMU), tha se hallka më e dobët në Kosovë për menaxhimin e ujërave është menaxhimi i resurseve ujore.

Ai shtoi se Kosova ka mungesë të resurseve ujore dhe se është duke vazhduar degradimi i tyre e për këtë arsye, sipas tij, po ballafaqohemi me efektet e përmbytjeve, raporton EO.

“Sa i përket menaxhimit te ujërave, hallka më e dobët është hallka e menaxhimit të resurseve ujore. Ne kemi se paku mungese të ujërave të mjaftueshme për t’i përballuar nevojat e Kosovës në anën tjetër kemi edhe një degradim të resurseve dhe ndër vite është lejuar eksplantimi i lumenjve që po shihen pastaj efektet me përmbytje. Ka një seri të dështimeve tek resurset ujore të cilat edhe pse ministria mundohet t’i ballafaqoj, po vazhdojnë. Ka nevojë për një mobilizim më serioz për ti ndihmuar ministrisë edhe organeve të saj, qoftë Autoriteteve te Rajonit, Institutit Hdirometorologjik apo edhe Inspektoratit. Të trija institucionet kanë mungesë të theksuar të stafit për t’i kryer detyrat”, tha ai.

Begolli shtoi se Kosova është nën 16% të mesatares se disponueshmërisë së ujërave për kokë banori në vit në krahasim me rajonin.

“Jemi nën 16% të mesatares se disponueshmërisë së ujërave për kokë banori në vit në krahasim me rajonin. Kemi 42% të mesatares së të reshurave, jemi të 46% te mesatares së ujit të akumuluar. Fokusi i Qeverisë viteve të fundit është ndërtimi i resurseve të reja të ujit. Qeveritë e fundit janë duke ju dhënë rëndësi trajtimit të ujërave të ndotura”, tha ai.

Ai po ashtu shtoi se tek resurset ujore janë duke u bërë ndërtime, kështu ato po zhvlerësohen.

“Në Istog po kërkohet që të ndërtohet një digë, por diga është një vrasje e një lumi, diga bëhet vetëm kur nuk ka rrugë tjetër. Te Mirusha ka ndërtim. Te Drini i Bardhë është bërë një hotel. Te Badoci kanë dashur të ndërtojnë lagje. Jemi duke i zhvlerësua resurset, duke ndërtua restaurante, nuk janë duke u ruajtur resurset”, tha ai.

Fatlije Buza, zyrtare për mbrojtjen e ujërave nga Ministria e Mjedisit dhe planifikimit hapësinor, tha se në vitin 2006 gjatë një hulumtimi kanë gjetur 120 operatorë kanë shkaktuar dëme të mëdha tek ujerat, por sipas saj puna e tyre është ndaluar.

“Tek ujerat sipërfaqësorë e kemi gjendjen pak më të ndjeshme. Keqbërësit nuk u ndalen, edhe pse i kemi marrë disa iniciativa në 2006. Kemi hulumtuar dhe kemi gjetur 120 operatorë që kanë bërë dëme shumë të mëdha, por siç duket ka qenë dikush më i lartë që na ka ndal dhe nuk kemi mundur që të vazhdojmë”.

Ajo po ashtu tha se  Kosova në aspektin financiar është e mangët për t’i financuar projekte për ujërat.

“Kosova edhe në aspektin financiar është e mangët për projekte. Kryesisht këto janë dokumente pa të cilat nuk mund të shkojmë përpara”, tha ajo.

Ajo theksoi se edhe edukimi i qytetarëve është i domosdoshëm për ruajtjen e resurseve ujore.

“Edhe edukimi është i domosdoshëm. Edukimi nuk është në nivel, si shoqëri duhet të flasim me letra të hapura. Duhet të gjithë të kontribuojnë ”, tha ajo.

Zeqir Veselaj, profesor në Fakultetin e Edukimit, Universiteti i Prishtinës, tha se përkundër gjendjes së keqe, është shënuar pak progres.

“Sot është dita ndërkombëtare e edukimit mjedisor. Në lidhje me ujin çdo diskutim, çdo politikë duhet të niset se Kosova ka resurse të reduktuara ujore. Është një problem mungesa e ujit dhe menaxhimi i tij. Raporti i progresit në vitin e kaluar e dha një shenjë për progres në ujë”, tha ai.

Profesori Veselaj tha se është e rëndësishme që kur në krye të ministrive të vijë një ministër i ri është e nevojshme që ai të vazhdojë punën aty ku ka mbetur dhe jo nga fillimi.

“Ne kemi më shumë nevojë që t’i edukojmë ministrat, jo gjithçka duhet të ndryshohet kur ai të vije. Kushdo që vjen ne ministri duhet ta vazhdojë punën që ai e ka lënë”, tha ai.

Të ngjashme