“Në kërkim të Venerës” – perla e radhës e Kosovës në kinematografinë botërore

Prishtinë | 09 Shk 2021 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

“Pasi që ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit fitoi çmimet në Sundance, debutimi madhështor i Norika Sefës konfirmon se kinematografia e Kosovës së vogël është aktualisht në rrjedhë”, ka shkruar Neil Young në “Screen Daily”.

“Kjo perlë e qetë do t’u pëlqejë festivaleve dhe kanaleve që kërkojnë të shfaqin talentin në zhvillim”. Regjisorja Norika Sefa ka thënë për KOHËN se me këtë film ka dashur që të realizojë një rrëfim që hedh dritë mbi mënyrën sesi jetohet në Kosovë

Në një familje tradicionale shqiptare duket mision i zorshëm arritja e pavarësisë. Përplasjet midis gjeneratave janë të pashmangshme. Kështu regjisorja Norika Sefa, nëpërmjet filmit të saj “Në kërkim të Venerë”, sipas atyre që e kanë parë, vë në pikëpyetje sesi është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, e që për shumë kultura tingëllon si diçka e pamundur. Sidoqoftë, nga kritikët ky film i metrazhit të gjatë po shihet si rrëfim universal. Një reflektim se çfarë do të thotë të jesh adoleshent, një përmbledhje e kërkimit drejt individualitetit.

Por, në konsolidim të individualizimit në artin e shtatë është edhe vetë regjisorja. “Në kërkim të Venerës” është filmi i saj i parë i metrazhit të gjatë, dhe Sefa ka një rrugë të gjatë para vetes. Por arritja e parë ia konfirmon në njëfarë forme se e ka formulën e suksesit.

Rrëfimi i saj ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam (IFFR). Të dielën filmi i saj u shpall fitues i Çmimit special të jurisë për arritje të jashtëzakonshme artistike në kategorinë “Tiger Competition”. “Në kërkim të Venerës” bëri që për herë të parë në historinë e Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kineast nga Kosova të përfshihet në garën zyrtare dhe të shpërblehet.

Individualiteti brenda shoqërisë tradicionale

Edicioni i sivjetmë, i 50-ti me radhë i “Rotterdam International Film Festival”, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia është ndarë në dy pjesë. Fillimisht në një format hibrid, që nisi më 1 shkurt dhe u përmbyll të dielën. E për pjesën tjetër organizatorët synojnë ta mbajnë në formën tradicionale prej 2 deri më 6 qershor.

Kategoria “Tiger Competition”, ku u shpërblye Sefa, është themeluar në vitin 1995 dhe ka për qëllim zbulimin e talenteve të filmit dhe shpërblimin e tyre. Këtë vit Çmimin special të jurisë, filmi i Kosovës e ndau me “I Comete – A Corsican Summer”, nën regji të Pascal Tagnati nga Franca. Po ashtu, u shpërblye edhe filmi “Quo vadis, Aida?”, nën regji të Jasmila Zbaniqit, ku luan aktori shqiptar Alban Ukaj. Ky film mori “BankGiro Loterij Audience Award”, që u nda bazuar në vlerësimet e publikut.

“Në kërkim të Venerës”, me fitimin e Çmimit special të jurisë, i solli për herë të parë Kosovës trofeun që ka formën e kokës së tigrit. Juria – e përbërë nga Lemohang Jeremiah Mosese, Orwa Nyrabia, Hala Elkoussy, Helena van der Meulen, Ilse Hughan – e vlerësoi filmin e regjisores kosovare si një “një pjesë intime të jetës…i ngjyer me kërkimin e pasigurt të një të riu, por që e merr veten shpejt, për të gjetur unin e tij”.

Publiku kosovar mund të shohë veç një skenë njëminutëshe të filmit “Në kërkim të Venerës”. Muzika është e lartë, mjaftueshëm sa për të mos e dëgjuar komshinjtë. Nëna (Erjona Kakelli) po vallëzon me vajzën e saj Venerën (Kosovare Krasniqi). Djalin e vogël e mban në krah gjersa vallëzon dhe e thërret edhe djalin tjetër, Lekën, që t’u bashkohet. Ai duket sikur ngurron. “Po çfarë mashkulli je ti që e refuzon një grua”, i thotë atij. Duket sikur janë duke festuar. Venera krijon përshtypjen që diçka po rëndon mbi shpatullat e saj. Në mes të vallëzimit i jep një përqafim të gjatë nënës së saj. Sikur gjen ngushëllim te krahët e së ëmës. Shumë shpejt gjithçka ndërpritet. Babai i Venerës (Basri Lushtaku) është te dera. Venera ndal muzikën dhe gjendet përballë tij. Për një moment nëna e saj merr fëmijët dhe duket sikur po i largon. Nuk dihet se për çfarë do të flasë Venera me të atin.

“Kam dashur që të paraqes atë energjinë e të rinjve, në familje, në rrugë, në kafe. Por gjithmonë duke shikuar sesi po reflektojnë mjediset, hapësirat, marrëdhëniet”, ka thënë Norika Sefa për KOHËN kur ka folur për filmin e saj “Në kërkim të Venerës”

Regjisorja Norika Sefa ka thënë se qëllim nëpërmjet këtij filmi e ka të vërë në pah individualitetin në një shoqëri të fuqishme tradicionale. Por karakteri i saj kryesor Venera, ka shumë pak mundësi për t’i shfaqur ndjenjat e saj. Lëvizjet e saj vëzhgohen nga të gjithë.

“Kam dashur që të realizoj një rrëfim që hedh dritë mbi mënyrën sesi jetohet në Kosovë”, ka thënë regjisorja për KOHËN.

Përmes qasjes së saj regjisoriale, Sefa ka thënë se në fokus ka pasur që të paraqesë sesi të rinjtë nuk kanë shumë hapësirë për t’u shprehur e provuar gjëra të reja.

“Në fokus i kam pasur dy vajzat, Venera dhe Dorina (që luhet nga Rozafa Çelaj) pasi që përmes tyre mund të kuptohet sesi jetohet të ne. Kam dashur që të paraqes atë energjinë e të rinjve, në familje, në rrugë, në kafe. Por gjithmonë duke shikuar sesi po reflektojnë mjediset, hapësirat, marrëdhëniet që këto çikat krijojnë në personalitetet e këtyre dy vajzave”, ka thënë Sefa, e cila jeton në kryeqytetin e Çekisë, por për momentin është në Kosovë.

Ka diplomuar për regji në “European Film College” në Ebeltoft të Danimarkës dhe masterin e përfundoi në “FAMU” (The Film and TV School of the Academy of Performing Arts) në Pragë.

Mes ndrydhjes dhe eksplorimit të emocioneve

Për Kosovare Krasniqi, filmi “Në kërkim të Venerës” u bë eksperienca e saj e parë si aktore. Kur kthehet prapa në fillim të vitit 2019, kur edhe u bënë xhirimet, tregon se kishte pasur shumë dyshime. Megjithatë, dëshira e madhe për aktrim dhe simpatia që kishte për rolin u bënë dy shtytjet kryesore.

“Njëra ndër karakteristikat kryesore të Venerës , besoj që është kureshtja e saj për jetë në përgjithësi. Edhe pse e rritur në një vend tradicional, ajo ka guximin ta sfidojë veten në aspekte të ndryshme jetësore”, ka thënë Krasniqi për rolin e saj. Për KOHËN ka treguar se Venera paraqitet si adoleshente, por mjaft e pjekur për moshën që ka. E shpërblimi që erdhi dy ditë pas premierës në IFFR e ka gëzuar edhe atë, njëlloj si krejt ekipin.

E kundërt për nga karakteri është nëna e Venerës, të cilën e luan aktorja Erjona Kakeli. Ka thënë për KOHËN se ky është ndër rolet më të bukura të jetës së saj në film. Gjithë procesin e ka konsideruar si një sfidë të bukur e të vështirë.

“Nëna e Venerës është një grua që çdo hall e gëzim i mban brenda, është sakrifikuar për familjen dhe nuk e ka parë kurrë veten e saj, dhe dëshirat e saj i ka ndrydhur. Është shumë komplekse si karakter”, ka thënë Kakeli e cila është nga Shqipëria. Sipas aktores nga Shqipëria, çmimi shpërblen punën e bukur të të gjithë ekipit dhe se ajo beson që do të ketë edhe çmime të tjera.

Në garë në kategorinë “Tiger Competition”, përveç filmit të Sefës, ishin edhe: “Agate mousse” i regjisorit Selim Mourad (Liban), “Bebia, à mon seul désir” i Juja Dobrachkous (Britani e Madhe/Gjeorgji), “Bipolar” i Queena Li (Kinë), “Black Medusa” i Youssef Chebbi (Tunizi), “The Edge of Daybreak” i Taiki Sakpisit (Tajlandë/Zvicër), “Feast” i Tim Leyendekker (Holandë), “Friends and Strangers” i James Vaughan (Australi), “Gritt” i Itonje Søimer Guttormsen (Norvegji), “Landscapes of Resistance” i Marta Popivoda (Serbi/Gjermani/Francë), “Liborio” i Nino Martínez Sosa (Republika Dominikane/Puerto Rico/Katar), “Madalena” i Madiano Marchetit (Brazil), “Mayday” i Karen Cinorres (ShBA), “Mighty Flash” i Ainhoa Rodríguez (Sanjë), si dhe fituesi i çmimit kryesor, “Pebbles” nën regji të Vinothraj P.S. nga India.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i prodhuar nga “Circle Production” me bashkëproducentë Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi, gjithashtu, është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe nga ajo e Kaçanikut.

Rryma e re kinematografike e Kosovës

Në kritikën e shkruar nga Festivali i Rotterdamit shkruhet se Norika Sefa, në debutimin e saj të ndjeshëm, portretizon, me një sy të mrekullueshëm për detaje, sesi një vajzë moderne rritet në një rreth në mënyrë strikte hierarkike dhe tradicionale.

“Por si mund të bëjë Venera zgjedhjet e saj kur në realitet nuk ka shumë për të zgjedhur? Muzika delikate dhe e veçantë, si dhe xhirimi në formë observuese ia shtojnë tregimit, që ka në fokus rritjen e personazhit, një ndjesi dokumentari. Përderisa uria e Venerës për pavarësi veç shkon duke u rritur, ajo e sheh Dorinën që u dorëzohet kërkesave të familjes. Tani asaj do t’i duhet të zgjedhë për vete”, është shkruar aty.

E përditshmja britanike “Screen Daily” ka shkruar se Kosova ka lënë edhe një gjurmë në kinematografi duke fituar me filmin debutues në Rotterdam.

“Fill pasi që ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit fitoi çmimet në Sundance, debutimi madhështor i Norika Sefës konfirmon se kinematografia në Kosovën e vogël është aktualisht në rrjedhë”, ka shkruar Neil Young.

Sipas kritikës, filmi duke përshkruan me detaje jetën në një qytet të vogël, Kaçanik, afër kufirit me Maqedoninë Veriore, fokusohet në irritimin e një adoleshenteje kundër kufizimeve të patriarkatit. E ka cilësuar filmin si një arritje të mrekullueshme sidomos për sa u përket pamjeve, atmosferës dhe shfaqjeve.

“Kjo perlë e qetë do t’u pëlqejë festivaleve dhe kanaleve që kërkojnë të shfaqin talentin në zhvillim. Përcjell idenë se ne përgjojmë ngjarjet aktuale që ndodhin në një mjedis të paqëndrueshëm me intensitet mbytës, energji rinore të paqëndrueshme, të rrezikshme e të pashmangshme”, është shkruar aty. E në mesin e fytyrave të reja brenda kinematografisë është veçuar aktorja Kosovare Krasniqi.

“Karakteri nuk ka dialogë të mëdhenj, por mimikat e vrenjtura të Krasniqit – nga këndvështrime të caktuara që të kujtojnë Jennifer Jason Leigh ose Sandrine Bonnaire në rininë e tyre – lënë pak dyshime për thellësinë dhe forcën e ndjenjave të saj. Seksualisht, emocionalisht dhe intelektualisht mjaft e pjekur për moshën e saj, Venera është qartë e destinuar për horizonte shumë më të gjera sesa jeta e ngushtë në vendin e saj”, ka shkruar “Screen Daily”.

Është vlerësuar edhe bashkëpunimi i Sefës me kinematografin nga Venezuela, Luis Armando Arteaga, i cili mori vëmendje ndërkombëtare përmes punës në filmin “Ixcanul”, nën regjit të Jayro Bustamante. Por vëmendja ndërkombëtare ndaj saj veçse ka nisur. Siç ka treguar regjisorja, janë duke shikuar mundësitë për shfaqje të filmit edhe në festivale të tjera dhe nëpër kinema. Por gjithçka po varet nga situata e krijuar për shkak të pandemisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme