Procesi i mbjelljeve pranverore tashmë ka filluar në gjithë Kosovën. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit planifikohen të mbillen me kultura bujqësore pranverore rreth 110 mijë hektarë tokë. Ekspertët e bujqësisë porosisin bujqit që mbjelljet t’i realizojnë brenda afateve optimale dhe t’i ushqejnë ato me sasi të nevojshme të plehrave artificiale.
Ndonëse vitin e kaluar pati shumë dëme e pak fitime, Dashmir Duraku, nga Krusha e Madhe e Rahovecit, edhe këtë vit do ta punojë tokën e tij. Ai duke rrëfyer për dëmet e vitit të kaluar, për të cilat ende nuk është kompensuar, tregon për Radio Kosovën se edhe këtë pranverë do të mbjellë disa hektarë me kultura të ndryshme bujqësore.
“Një hektar që e kemi pasur të mbjellë me speca, vërshimet na e patën prishur. 50 ari i kemi pasur me patate. Kemi pasur shumë dëme vitin e kaluar, një herë prej vërshimeve e pastaj edhe prej sëmundjes së pikës. S’kemi pasur as çka të vjelim e as çka të shesim. Por, s’kemi çka, përsëri duhet t’ia nisim të punojmë. Kemi në plan tre hektarë speca mi mbjellë, një hektar patate, lakër, e të tjera”, tha ai.
Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se përgatitjet për mbjelljet pranverore po shkojnë mirë. Sipas Isuf Cikaqit, drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në këtë ministri, këtë vit me kultura bujqësore pranverore pritet të mbillen mbi 100 mijë hektarë.
“Janë diku rreth 110 mijë hektarë që planifikohen të mbillen me të gjitha kulturat pranverore. Ndoshta kjo sipërfaqe do të rritet, për shkak se në vjeshtë kanë mbetur pa u mbjellë me grurë sipërfaqe të mëdha. Dominon sipërfaqja e mbjellë me misër, me të cilën do mbillen diku rreth 70-80 mijë hektarë. Pastaj kultura e patates me 6-8 mijë hektarë dhe perimet diku rreth 15 mijë hektarë”, tha Cikaqi.
Profesori universitar, Shukri Fetahu, u rekomandon bujqve që të mbjellat pranverore t’i realizojnë brenda afateve optimale, ndërkohë porosit që ato t’i ushqejnë me plehrat e nevojshme artificiale.
“Për ta ndihmuar procesin e zhvillimit dhe rritjes së bimëve, bujqit menjëherë duhet ta ushqejnë bimën me plehra pranverore ose azotike. Kjo ia jep fuqinë – energjinë e domosdoshme bimëve. Në distancë kohore prej një muaji, le të shkojnë edhe me plehërimin e dytë, i cili është korrektues i plehërimit të parë dhe i ndihmon shumë bimët”, tha Fetahu.
Ministria e Bujqësisë prej vitesh ndan subvencione për kultura të ndryshme bujqësore. Sipas kësaj ministrie, kjo ka ndikuar që të rritet sipërfaqja e tokës së punuar. Megjithëkëtë, për këtë vit akoma nuk është hapur thirrja për subvencione.