Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare kryhet intervenim i komplikuar kirurgjik

Prishtinë | 18 Maj 2018 | 12:10 | Nga

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është kryer  operacioni i dytë i transpozicionit të arteries subclavia (arteria që e ushqen dorën me gjak) në arteria carotiscommunis (arteria e përbashkët gjumore  që e ushqen trurin me gjak) në anën e majtë, për shkak të “sindromit të vjedhjes së gjakut nga arteria e dorës prej trurit “.

Sindroma e “vjedhjes së gjakut” nga arteria subclavia (arteria që e ushqen dorën me gjak) karakterizohet me ngushtimin ose mbylljen e kësaj arterie, me lokalizim afër origjinës së arteries vertebrale (arteries unazore të qafës). Në këtë rast, arteria subclavia e “vjedhë” gjakun nga qarkullimi i arteries vertebrobasilare, (të dy këto arterie e ushqejnë trurin me gjak) në drejtim të kundërt të rrjedhjes, për të furnizuar me gjak dorën gjatë përdorimit të saj, duke rezultuar me pamjaftueshmëri vertebrobasilare, (në këtë rast dora ja “vjedhë” gjakun trurit).

Pacientja H.Q, 68 vjeç me hipertension, dislipidemi (yndyra të rritura), në Kirurgji Vaskulare ishte paraqitur me humbje ekuilibri, dhembje koke, marramendje dhe mjegullim të të pamurit herë pas here, që ndodhte kur ajo e përdorte dorën e saj të majtë, gjatë punëve në shtëpi dhe në kopsht.

Rasti në fjalë ishte kundër indikacion për trajtimin endovaskular (me vendosje të stentit) , sepse ngushtimi dukej jo koncentrik dhe ishte shumë afër arteries vertebrale.

Për shkak të pengesave, simptomave dhe shenjave klinike të përmendura më sipër, ekipi mjekësor në përbërje; Ass. Dr. LulzimVokrri ,Dr.HajrizRudari, Dr.Adhurim Koshi, Dr. Ramë Gashani, specializant,instrumentareAdulina, kreu intervenimin kirurgjik, i cili zgjati rreth 4 orë. Anestezionin e udhëhoqi Dr. Lavdim Morina, me teknikët e anestezionit dhe stafin.

Ajo raportoi histori të sëmundjes koronare të zemrës, por jo për sëmundje tjera vaskulare. Ekzaminimi fizik ishte i dukshëm për dallimin e presionit të gjakut 135/95mmHg në krahun e djathtë dhe 70/50 mmHg në krahun e majtë, pa pulse në arterien radiale dhe ulnare, në dorën e majtë.

Pacientja ka pasur  përkujdesje pas operacionit nga mjekimi intensiv qendror për 24 orë.

Një rast i tillë me sukses të plotë, për herë të parë ishte operuar në vitin 2006.

Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacientja pas 7 ditëve hospitalizimi, është lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore, tashmë me pulse në dorën e majtë, pa humbje ekuilibri, kokë dhembje dhe pa marramendje.

 

Të ngjashme