Në Komisionin për Financa bëhet e ditur se RTK-ja ka 784 punëtorë

Prishtinë | 18 Kor 2018 | 13:32 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa është shqyrtuar raporti vjetor financiar i Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2017.

Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku kërkoi nga përfaqësuesit e RTK-së që të dijë për numrin e saktë të punëtorëve si dhe për arsyen e rritjes së numrit të punëtorëve, raporton Ekonomia Online.

“Numri i punëtorëve, a ka mundësi me na tregu se sa është numri i punëtorëve. Çfarë është motivi me shty ma tutje numrin e punëtorëve duke i pasë parasysh kërkesat financiare që keni”.

“784 punëtorë, si është e mundur që të keni kaq shumë produksione të jashtme e që po besoj që potencialisht mund të kryheshin nga punëtorët që i keni”.

Ndërsa deputetja Albërie Nagavci ishte e interesuar të dinte lidhur me borxhin që RTK-ja ka ndaj palëve të treta si dhe për numrin e punëtorëve me kontratë mbi vepër.

“Sa është vlera e borxhit që RTK i ka palëve të treta, po pres që të na jepni numrin e punëtorëve dhe të punësuarve, edhe atyre me kontratë mbi vepër”.

Drejtoresha e Financave, Adelina Valla, tha se nuk ka informatë lidhur me të punësuarit me kontratë mbi vepër ndërsa shtoi se në RTK janë gjithsej të punësuar 784 persona.

“Kontratë mbi vepër nuk kam informatë të saktë, sepse njerëzit që janë me kontratë mbi vepër janë njerëz që lëvizin”.

Ndërsa Afërdita Maliqi, kryetare e Bordit të Drejtorëve të RTK-së, bëri të ditur se numri i të punësuarve me kontratë mbi vepër sillet rreth 200. Ndërsa shtoi se RTK-ja është e obliguar me ligj që 20 përqind të gjithë totalit të ketë nga produksione të jashtme, raporton EO.

“Sillet rreth 200 me kontratë mbi vepër, ka që janë në kanalin e dytë, një pjesë janë artistë, një pjesë janë analistë”.

“Sa i përket produksioneve të jashme, 20 përqind të totalit të RTK-së jemi të obliguar ta kemi produksion të jashtëm. Bordi ka arritë me ulë koston e produksionit të jashtëm”.

Në fund të mbledhjes, me 3 vota për, 2 kundër dhe 1 abstenim, komisioni miratoi raportin vjetor financiar të RTK-së për vitin 2017.

Të ngjashme