Malisheva ka nisur me shenjëzimin dhe vendosjen e sinjalistikës në rrugët kryesore në qytet, ku qarkullimi i veturave është më i madh.
Shenjëzimi, sipas njoftimit nga komuna, është bërë me qëllim të krijimit të sigurisë për këmbësorët.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Milazim Morina, në projektin e shenjëzimit të rrugëve, janë përfshirë të gjitha rrugët kryesore në qytetin e Malishevës, si dhe katër rrugët kryesore, apo rrugët regjionale, ku rëndësi e veçantë i është kushtuar shkollave, në të cilat janë duke u vendosur shenjat në afërsi të objekteve shkollore.
Projekti i shenjëzimit të rrugëve, apo vendosja e sinjalistikës në rrugë, kap një shumë prej afro 17 mijë eurove dhe financohet nga buxheti i Komunës së Malishevës.