Në Malishevë fillon dezinsektimi i zonave endemike kundër rriqrave

Prishtinë | 22 Maj 2024 | 12:42 | Nga Ekonomia Online


Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), sot, Komuna e Malishevës, ka filluar me dezinsektimin e zonave endemike, kundër rriqrave, si bartës të virusit të EHKK.

Fillimin e kësaj fushate, e ka parë nga afër edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtorët e drejtorive përkatëse, përgjegjëse për realizimin e dezinfektimit dhe zbatimit të masave parandaluese kundër EHKK.

“Pavarësisht numrit të rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është fat i mirë se tani e një dekadë nuk kemi raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës, por ne si komunë, brenda përgjegjësive dhe kompetencave, jemi duke bërë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë që janë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje, duke filluar nga punëtorët shëndetësor, zyrtarët përgjegjës komunal, si dhe të gjithë qytetarët, të cilët po tregohen shumë të kujdesshëm”, ka thënë kryetari Kastrati, me rastin e fillimit të dezinsektimit të zonave endemike.

Po ashtu, kryetari i Kastrati, ka apeluar tek organet përgjegjëse shtetërore, që të marrin masat e nevojshme për luftimin e EHKK, siç janë Këshilli Ndërministror, pastaj realizimi i repelimit të kafshëve, si masa më efektive në luftimin e EHKK dhe të gjitha përgjegjësitë tjera, të cilat duhet të fillojnë nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, Ministria e Bujqësisë, AUV, në mënyrë që luftimi dhe parandalimi i EHKK, të ketë rezultate dhe të mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve.

“Në fillimin e fushatës së dezinfektimit të zonave endemike, ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive përkatëse, Hajdin Berisha, drejtor i shëndetësisë, Sylë Dukolli, drejtor i bujqësisë dhe drejtori për mbrojtje dhe shpëtim, Shqipron Shala. Ky dezinsektim, bëhet në koordinim në mes të drejtorive përgjegjëse në Komunën e Malishevës dhe Institutit Rajonal të Shëndetit Publik (IRSHP) në Prizren.Kjo fushatë e dezinsektimit, tregon përkushtimin e Komunës së Malishevës në raport me ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga rreziku i EHKK”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme