Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës kanë mbetur vetëm një numër i vogël i mjekëve të rinj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Që nga viti 1979, kur është hapur ky spital, në të punojnë pothuajse vetëm stafi i punësuar prej vitesh në të 18 repartet e tij. E mosha e tyre mesatare është rreth 60-vjeçare.
Shumë prej këtyre mjekëve, të cilët tashmë gjenden para pensionimit, janë edhe vetë pacientë të ndonjë kolegu të tyre, për shkak të problemeve të ndryshme shëndetësore, siç janë ato me probleme të sheqerit, tensionit, stendave në trup, reumës… e sëmundje tjera që fillojnë të shfaqen në pragun e moshës së pleqërisë.
Ndërkaq, para dy vjetësh ka nisur edhe pensionimi i kësaj gjenerate të punësuar në kohën kur është hapur spitali, pasi shumica prej 113 mjekëve sa punojnë aktualisht në këtë spital i takojnë asaj gjenerate.
Deri në vitin 2025 pritet të dalin në pension gjysma e mjekëve që i ka sot spitali.