Në praninë e qindra akademikëve dhe studentëve, nisi punimet Konferenca Ndërkombëtare e UBT-së

Prishtinë | 27 Tet 2018 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Me një ceremoni madhështore në të cilën morën pjesë qindra akademikë e studentë nga vende të ndryshme të botës, nisi punimet edicioni i shtatë i Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion.

Këtë konferencë e bënë të veçantë fakti se numri i pjesëmarrësve e ka kaluar shifrën e një mijë personave, prej të cilëve 700 hulumtues shkencorë nga 24 vende të botës, kanë përgatitur mbi 400 punime shkencore nga 15 fusha të ndryshme studimi.

Rektori i UBT-së,Edmond Hajrizi tha se kjo konferencë është shndërruar në një platformë ku mund të diskutohen çështje të ndryshme, në mënyrë që të ofrojmë qasje të ndryshme të të menduarit për fusha në të cilat UBT është akredituar, licencuar e interesuar.

“Jemi të lumtur që po e organizojmë edicionin e shtatë të konferencës, sidomos për faktin se sivjet po i zhvillon punimet në Kosovë, kjo për faktin se konferenca po rritet bashkë me UBT-në dhe ne tashme mund t’i shfrytëzojmë hapësirat tona për organizim edhe të ngjarjeve të tilla madhore”, vlerësoi Hajrizi.

Ai tha se kjo konference e UBT-së është jetike për të rritur kapacitetin e zhvillimit akademik dhe për të ngritur në nivele më të larta cilësinë e hulumtimeve shkencore që zhvillohen dhe prezantohen në Kosovë, meqë, sipas tij, UBT tashmë edhe ndërkombëtarisht po kontribuon në ngritjen e nivelit të hulumtimeve shkencore në nivel global.

I pranishëm në hapje të konferencës ishte edhe zv. Kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili e përgëzoi dhe falënderoi UBT-në për kontributin e dhënë në sferën akademike në Kosovë.

“Ne i jemi jashtëzakonisht falënderues UBT-së, rektorit Hajrizi dhe studentëve të UBT-së, të cilët për vite e kanë mbështetur zhvillimin e sektorit të arsimit të lartë në Kosovë”, tha Hoxhaj, duke shtuar se tash është koha që të investohet më shumë në burime njerëzore sepse, siç potencoi, njerëzit janë baza e shtetndërtimit të vendit.

Profesori në Universitetin e Vjenës. Peter Kopacek u shpreh i lumtur që në kaq pak vite UBT ka arritur kaq shumë. Me theks të veçantë, ai e përmendi vlerësimin dhe çmimin “Autori më i mirë i ri”, që profesoresha ne UBT, Ines Bula e fitoi në Azerbajxhan, në garë me mijëra shkencëtarë të tjerë nga mbarë bota.

“UBT po rritet natyrshëm dhe unë jam tejet i lumtur për këtë sepse përpos konferencave të tilla madhështore, UBT po shpërblehet me çmime ndërkombëtare për gjetjet shkencore dhe inovacionet që po i sjellë botës”, tha Kopacek.

Profesoresha në Universitetin Teknik të Bullgarisë, Galia Marinova tha se konferenca e UBT-së është një hapësirë e mirë për të marrë ide dhe mendime mbi çështje të rëndësishme.

“Kjo konferencë duhet të na shërbejë të gjithëve për të krijuar lidhje më akademikë nga e mbarë bota për të realizuar bashkëpunime dhe projekte të përbashkëta, si dhe duhet t’ju shërbejë studentëve për t’u njohur me mundësitë e shkëmbimit për studime në vende dhe universitete të shumta në botë”, vlerësoi ajo.

Profesori Felix Bretinexger theksoi se është i lumtur që në emër të një platforme si “EUROSIM”, ku UBT është anëtarësuar me të drejta të plota, të marrë pjesë dhe të shohë nga afër tërë numrin e madh të hulumtuesve dhe nivelin e lartë të hulumtimeve që po zënë vend për prezantim në Kosovë.

“Kjo është e pesta herë që jam këtu dhe jam tejet krenar me atë që ka arritur një ish-student i imi, siç është rektori Edmond Hajrizi, por edhe studentët e mi aktualë. Më pëlqen jashtë mase të qëndroj dhe të jap leksione në UBT”, vlerësoi ai.

Profesoresha në Linnaeus University, Anita Mirjamdotter potencoi se është shumë e lumtur që tashmë UBT ka hyrë në rrjetin e bashkëpunëtorëve të universitetit ku ajo punon, teksa përmendi edhe dobitë që do të vijnë nga ky bashkëpunim.

“Ne kemi nisur një projekt së bashku dhe prej tij pritet që të krijohen mundësi edhe për shkëmbim të studentëve dhe stafit akademik mes institucioneve”, tregoi Mirjamdotter.

Për profesoreshën nga Universiteti i Tiranës, Kozeta Sevrani, ardhja në UBT është njësoj sikurse edhe shkuarja në Tiranë.

Ajo u shpreh e lumtur të jetë pjesëmarrëse në këtë konferencë, teksa pjesëmarrësit i ftoi edhe në konferencën e Universitetit të Tiranës.

“Universiteti ynë do ta organizojë konferencën në maj ose qershor të vitit të ardhshëm, andaj do të doja që secili prej jush t’i bashkohet konferencës sonë”, tha Sevrani.

Profesoresha në Universitetin Teknik të Vjenës, dr Caroline Jaegerklein tregoi se është në UBT që nga fillimi, ndërkaq tash bashkëpunimi është zgjeruar edhe më tej falë programit Erasmus+.

“Unë tashmë jam presidente e ICOMOS Austria, ndërkohë bashkëpunimi me UBT-në po zgjerohet edhe përmes programeve siç është Erasmus+. Në këtë mënyrë po mundohemi që ta promovojmë nivelin akademik të Kosovës, por edhe trashëgiminë kulturore të vendit”, tha ajo.

Profesoresha në Arizona State University, dr Claire Gordon konstatoi se UBT është ndër institucionet më dinamike në rajon dhe se kjo konferencë është vetëm vijimësi e tërë punës dinamike që zhvillohet në UBT.

“UBT është në rrugë të drejtë të zhvillimit të punës sepse gjeneratat e reja të studentëve duhet të gjejnë zgjidhje për problemet më komplekse me të cilat po përballet bota për momentin”, tha Gordon.

Në fund të ceremonisë, UBT ndau cmimin “Excellence Leadership Award” për drejtoreshën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Deutsche Welle, Adelheid Feilcke, për kontributin e saj të çmuar në fushën e gazetarisë, me theks të veçantë për ndikimin e saj në hapjen e shërbimit në gjuhën shqipe në Deutsche Ëelle.

Me këtë rast, Adelheid Feilcke tha se ndjehet e nderuar për vlerësimin me këtë çmim, megjithëse meritat për punën e bërë ia atribuoi edhe ekipit me të cilin ka punuar për vite të tëra.

“Që nga koha e Millosheviçit jemi munduar t’ju informojmë, të jemi pranë jush dhe me ju, si dhe t’i mbështesim njerëzit e Kosovës përmes informacioneve dhe raportimit, tash po mundohemi që të njëjtën gjë ta bëjmë edhe në liri”, tha Feilcke.

Sesionet me punimet shkencore të hulumtuesve do të prezantohen gjatë ditës së nesërme, me fillim nga ora 09:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme