Në Prishtinë vijojnë mësimin mbi 40 mijë nxënës, shtohet nevoja për angazhim të mësimdhënësve

Prishtinë | 21 Jan 2021 | 08:22 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës Shpresa Shala në një intervistë për Ekonomia Online ka njoftuar se për shkak të problemeve gjysëmvjetori i dytë nuk ka filluar në disa shkolla të kryeqytetit.

Shala ka thënë se aktualisht në Prishtinë vijojnë mësimin 43 mijë nxënës. Sipas saj, numri në rritje i nxënësve që vijnë në Prishtinë për ndjekjen e mësimit shton nevojën për angazhim të mësimdhënësve të rinj.

“Duke e marrë parasysh numrin e nxënësve që i kemi në komunën e Prishtinës rreth 43 mijë ne nuk kemi mësimdhënës që nuk kanë norma të plota, sepse para se të shpallet konkursi ne gjithmonë i marrim të dhënat nga shkollat për mësimdhënësit që nuk kanë norma të plota dhe të gjithë mësimdhënësve i plotësohet norma e më pas shpallen konkurset”.

“Kjo për arsye se gjithmonë në arsim numrat e të punësuarve janë jo të mjaftueshëm për të gjitha shkollat e komunës së Prishtinës sepse përderisa në komunat e tjera ka rënie të nxënësve në komunën tonë nuk është kjo duke pasur parasysh ardhjen e popullatës nga komunat e tjera për shkak se Prishtina shihet si vend më i madh i mundësive të punësimit, zhvillimi të ndonjë biznesi e të ngjashme dhe ne gjithmonë ndër vite kemi shtim të numrit të nxënësve në qytet kurse nëpër fshatra ka rënie të numrit të nxënësve”, ka përfunduar Shala për EO.

Ajo poashtu ka thënë se pasojat e pandemisë nuk mund të asgjësohen si te mësimdhënësit ashtu edhe te nxënësit.

“Është e pamundur që t’i eliminojmë të gjitha pasojat të cilat pandemia ka për t’i lënë edhe te të punësuarit edhe tek nxënësit. Ne si drejtori e Arsimit qysh në muajin prill kemi filluar përdorimin e E-shkollorit në mënyrë që afërsia mes nxënësit dhe mësimdhënësit mos të ketë ndërprerje. Mendoj që kjo ka qenë ndër punët më të mira gjatë pandemisë përveç mësimit online që ne e kemi filluar menjëherë pas transmetimit të mësimit në RTK. Në vazhdimësi jemi në kontakt me shkollat. Në periudhën e parë ka qenë kogja stresuese për prindërit nxënësit dhe të gjithë”.

Shala ka treguar se për shkak të pandemisë janë detyruar që klasat të ndahen në grupe pasiqë kanë pasur numër të madh të nxënësve.

“Normalisht që puna është shumëfishuar dhe vështirësuar për shkak se nxënësit është dashur që të ndahen në dy grupe për shkak të hapësirave që nuk i kemi aq sa duhet në shkolla. Një klasë me 42 nxënës është e pamundur në këto kushte pandemie të mbajë mësim. Është dashur të ndahen klasat. Është shtuar kapaciteti i punës për mësimdhënësit dhe menaxhmentin e shkollës”.

Sipas Shalës gjatë pandemisë ka pasur bashkëpunim të mirë ndërmjet ministrisë së Arsimit dhe komunave.

“Kemi pasur bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit qysh prej marsit. Fatbardhësit një komunikim shumë të mirë dhe të gjitha vendimet para se të merren paraprakisht janë diskutuar me ne komunat. Qoftë ndonjë rregullore ose ndonjë dokument i cili është dashur që miratohet nga ministrja Bajrami apo Ministri Likaj fillimisht janë dërguar në komuna e Drejtori të Arsimit dhe ne i kemi dërguar në shkolla që të kemi feedback të shohim se si po funksionon”.

Drejtoresha Shala si hallkë më të dëmtuar të arsimit gjatë pandemisë e ka konsideruar mosmundësinë e punësimit të mësimdhënësve zëvendësues, raporton EO.

“Ajo që e ka dëmtuar më së shumti procesin ka qenë mosmundësia e punësimit të mësimdhënësve zëvendësues për mësimdhënësit që kanë qenë me sëmundje kronike. Disa kanë ardhur edhe të sëmurë në shkolla kurse ka pasur të tjerë që e kanë shfrytëzuar të drejtën e pushimit në bazë të vendimeve që janë nxjerrë nga Qeveria për lirimin nga puna qoftë me sëmundje kronike qoftë për shkak të moshës gjë të cilën ne nuk e kemi pasur mundësinë t’i zëvendësojmë sepse kur është bërë master-plani në Ministrinë e Asimit ato janë paramenduar si norma”, ka thënë Shala mes tjerash.

Për këtë gjysëmvjetor Shala ka thënë se do angazhohen në ngritjen e cilësisë se mësimit.

“Në periudhën e parë kemi vepruar në bazë të rrethanave që kanë qenë në secilën shkollë. Periudhën e dytë duhet të fokusohemi në ngritjen e cilësisë. Kemi problem shtesë edhe shkurtimin e buxhetit tek pagat dhe mëditjet. Buxhet i ministrisë së Arsimit është në llogari të komunës por nuk kemi bazë ligjore si ta shpenzojmë atë. Konkurse s’kemi shpallur sepse nuk kemi pozita të lira. Punëtorë me kontratë mbi vepër nuk mund të marrim për shkak se është e ndaluar. Pra i kemi paratë por s’kemi bazë ligjore t’i shpenzojmë. I vetmi është  buxheti i komunës që i kemi paguar mësimdhënësit për orët shtesë që kanë punuar paradite e pas dite”, ka thënë ajo.

Të ngjashme