Në Pulmologji po trajtohen 20 pacientë me Coronavirus, infermieret e infektuara në gjendje stabile

Prishtinë | 01 Kor 2020 | 13:24 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tri infermiere të Klinikës së Pulmologjisë që kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus janë në gjendje  stabile.  Në këtë klinikë tashmë po trajtohen edhe 20 raste të konfirmuara me këtë virus.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti në një prononcim për Ekonomia Online tha se infermierët e infektuar janë të izoluar në shtëpi.

“Sa i përket të infektuarve në Klinikën e Pulmologjisë janë tri raste të cilat janë infektuar me Covid-19, mirëpo gjendja e tyre shëndetësore është shumë e mirë dhe nuk kanë simptome dhe janë në vetizolim në shtëpi”.

Më tutje ajo ka thënë se tashmë në Klinikën e Pulmologjisë janë gjithsej 34 pacient, 20 prej të cilëve me Coronavirus ku 14 pacient janë me oksigjenoterapi.

“Në klinikën tonë për momentin i kemi 34 pacient, mirëpo prej tyre 20 janë të konfirmuar me Covid-19 dhe ata janë duke e marr trajtimin dhe ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me klinikën infektive, në momentin që Klinika Infektive e bënë lirimin e vendeve ne i transferojmë në Infektivë në mënyrë që të bëjmë vend për pacientët që vinë të dyshimtë për me e prit rezultatin e tyre. Prej këtyre pacientëve 14 raste prej tyre janë me oksigjen ndërsa rastet e tjera janë stabile”, tha ajo për EO.

Ajo ka thënë se cilido infermierë që do të ketë simptoma të Covid-19 do të testohet.

“Vetëm nëse kanë simptoma do të testohen, sepse ne duhet të dimë se infeksioni me Covid-19 mund ta marrim kudo që jemi, dhe jo vetëm në klinik, mirëpo dihet që stafi më i rrezikuar është stafi i cili punon direkt me të sëmurët me Covid-19 dhe për këtë arsye personat e parë më të rrezikuar janë ata që janë në kontakt me të sëmurin”.

Mehmeti mes tjerash ajo shtoi se janë ballafaquar me mungesë të stafit dhe jo vetëm në kohën e pandemisë.

Por sipas saj, prekja e infermierëve me Coronavirus po e vështirëson edhe punën në këtë Klinikë, raporton EO.

“Mund të ju them se kryeinfermierja e klinikës mundohet në mënyrë perfekte dhe të mos mungojë asnjëherë stafi infermieror që të kompensojë rastet që nuk janë në vend të punës dhe të kompensojë me prurje të reja të infermierëve ose me ata që i kemi ta organizojë punën në klinikë, dhe për momentin kuptohet se na prej fillimit dhe jo vetëm tash me paraqitjen e infeksionit me Covid”.

“…gjithmonë kemi pasur staf infermieror të paktë dhe çdo herë kemi pasur nevojë për ata edhe në situatën normale. Dhe tash kuptohet që kjo kërkon një numër më të madh por ne jemi duke u munduar që me të gjitha këto ta gjejmë mesin e artë dhe të mundohemi që pacientët të mos heqin dhe të ju ofrohet ndihma e cila është më së e nevojshme për këtë”.

Të ngjashme