Në Qeveri flasin pas mesazhit të ambasadorëve të QUINT-it për rrugën Deçan-Plavë

Prishtinë | 28 Gus 2020 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Përplasjet për rrugën Deçan-Plavë kanë alarmuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it që dje kanë vizituar Manastirin prej nga e kanë pasur edhe një porosi të qartë për Qeverinë e Kosovës.

Rruga Deçan-Plavë ka shkaktuar edhe njëherë tollovi në skenën politike në Kosovë. Për këtë arsye është angazhuar me t’u kthyer nga vetizolimi kryeministri Avdullah Hoti që priti në takim kreun e Deçanit Bashkim Ramosaj, e pastaj edhe vetë shkoi në këtë komunë e në manastir për të biseduar me akterët.

Megjithatë, Hoti nuk është i vetmi që këto ditë ka shkuar në Manastirin e Deçanit. Dje gjatë ditës në këtë pjesë kanë qëndruar ambasadorët e shteteve të QUINT’it që për vizitën njoftuan përmes një komunikate për media.

“Ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, KFOR’it dhe OSBE’së kanë vizituar rajonin e Deçanit për mbledhjen e fakteve. Ata u takuan ndaras me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe igumenin Sava Janjiqin e Manastirit. Ne u bëjmë thirrje palëve që në mënyrë strikte t’i përmbahen ligjeve të Kosovës, sidomos ligjit të vitit 2008 për Zona Speciale të Mbrojtura dhe të adresojnë çfarëdo shqetësimi brenda kornizave të Këshillit për Monitorim dhe Zbatim, para se të ndërmarrin veprime”, shkruhej në njoftimin e ambasadave, ku edhe jepej një udhëzim i qartë për Qeverinë e Kosovës.

“Ne u kërkojmë autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykata Kushtetuese, të nxjerrë në maj të vitit 2016, në lidhje me rastin e pronësinë e tokës në Deçan. Përfundimisht, ne i kërkuam Qeverisë së Kosovës që në mënyrë të shpejtë të zgjidh çështjen e punimeve të rrugës, sipas atyre që i përmendem më lartë”, shkruhet në njoftim.

Për këtë kërkesë të ambasadorëve të QUINT’it drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti, Gazeta Express ka pyetur në zyrën e tij në Qeveri.

Nga zyra e Hotit thonë se qëndrimi i kryeministrit mbetet i njejtë, edhe pas vizitës së ambasadorëve atje dhe porosisë së tyre.

“Qëndrimi është i njëjtë, ajo që ka deklaruar kryeministri gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit”, thonë në Qeveri.

Derisa ambasadat kanë porositur që të mos vazhdojnë punimet e të zbatohen ligjet, vetë kryeministri Hoti kishte thënë gjatë vizitës se për këtë çështje do të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë.

“Biseduam që në javët e ardhshme të gjejnë një zgjidhje që është e pranueshme për të gjithë duke e mbrojtur kështu interesat e qytetarëve, por edhe interesat e Manastirit të Deçanit si një vend i veçantë i trashëgimisë sonë kulturore e botërore”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, kreu i Deçanit në vazhdimësi po insiston se punimet vetëm janë pezulluar përkohësisht dhe se të njëjtat do të vazhdojnë.

Të ngjashme