Në UBT synohet jetësimi i projektit “Zhvillimi dhe implementimi i programit të PhD-së në TIK për sistemin arsimor të Kosovës”

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Në UBT është zhvilluar takimi i parë për jetësimin e projektit “Zhvillimi dhe implementimi i programit të PhD-së në TIK për sistemin arsimor të Kosovës”, i financuar nga programi Eramus+.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është krijimi i një shkolle të PhD-së në nivel nacional, përkatësisht zhvillimin e një edukimi të ciklit të tretë në fushën e IT-së, që do të kontribuojë në ndërtimin dhe përgatitjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi tha se ky projekt është një mundësi jo vetëm për krijimin e kuadrove, por edhe për ndërtimin dhe ngritjen e kapaciteteve me bazë inovacionin dhe kërkimin, e sipas tij, fusha e IT-së ka potencial kryesor për këtë rritje dhe avancim.

“Në aspektin e shërbimeve, sektori i IT-së është i vetmi që ka më shumë eksport se import, prandaj duhet menduar se si ta mbështesim këtë rritje në një dimension tjetër. Na duhet një shkollë e doktoratës për t’i rritur këto kapacitete në Kosovë dhe jam i lumtur që i kemi të gjitha palët e interesit për ta realizuar një gjë të tillë”, tha Hajrizi.

Ai theksoi se përmes këtij forumi, dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, do të ketë hapësirë për të reflektuar dje për të gjeneruar ide të reja.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, dr. Marian Dema u shpreh se ky projekt do të ndihmojë Kosovën dhe universitetet vendore që të krijojnë dhe përmirësojnë nivelin e studimeve të doktoratës.

“Ky projekt do të na ndihmojë që të krijojmë ura komunikimi dhe shoqëri, me qëllim që ta bëjmë këtë botë më të mirë për të gjithë. Të bëjmë ndryshime nuk është e lehtë, por njerëzit i bëjnë ato dhe nëse punojmë së bashku është më e lehtë që të arrihen”, vlerësoi ai.

Profesoresha në Linnaeus University, njëherësh edhe koordinatore e këtij projekti, dr. Anita Mirijamdotter, duke folur rreth rëndësisë së këtij projekti për sistemin arsimor në Kosovë, potencoi se ky projekt nuk do të ketë të bëjë vetëm me ndërtim të kapaciteteve humane, por edhe  të krijojë një shkollë doktorate të përbashkët në nivel nacional, që do ta ndryshojë dhe ndihmojë shoqërinë.

“Kjo shkollë nuk do të ketë të bëjë me zhvillimin e kapaciteteve të ndërtimit, por duhet të japë rezultate në hulumtim të aplikuar, që korrespodojnë me nevojat e shoqërisë kosovare. Se ky projekt ka qenë i nevojshëm, e tregon edhe mbështetja e madhe që e kam marrë nga shqiptarë të shumtë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar jetësimin e këtij projekti”, tregoi Mirijamdotter.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, Jenny Stenberg Sorvlod tha se falë këtij projekti Kosova do të ketë një mundësi për avancim të studentëve dhe profesorëve, prandaj kam shumë e lumtur që në këtë aspekt po punohet bashkërisht.

“Arsimi, hulumtimi dhe ndërtimi i kapaciteteve të duhura është bazë për sukses të sektorit të IT-së dhe për krijimin e një shoqërie të përparuar. Prandaj, arsimimi në IT është shumë i rëndësishëm këtu, meqë kjo fushë është nxitëse që studentët e Kosovës të qëndrojnë dhe të japin kontribut këtu”, konstatoi ajo.

Zyrtari politik i Ambasadës së Suedisë në Kosovë, Olle Ingvarsson deklaroi se arsimimi është një e drejtë fundamentale njerëzore dhe bazë për demokraci.

“Prej kur kam ardhur në Kosovë e kam parë që të rinjtë janë në kërkim të arsimit cilësor, kështu që nevoja për reformim të arsimit është tejet e nevojshme. Ky projekt është bazë për fillim të këtyre reformave, pasi Kosova ka talent dhe potencial të madh në fushën e IT-së. Andaj, duke krijuar arsim cilësor, krijohet rrugë për zhvillim të qëndrushëm ekonomik dhe për ndërtimin e një shoqërie prosperuese”, theksoi Ingvarsson.

Drejtori për bashkëpunim ndërkombëtar në MASHT, Burim Gashi potencoi se ky projekt do të jetë fitimprurës si për institucionet arsimore dhe studentë në Kosovë, ashtu edhe për MASHT-in.

“Jemi këtu për të shprehur gatishmërinë tonë që ta përkrahim këtë projekt për ndërtim të kapaciteteve. Jemi të interesuar që ky projekt të ketë qëndrueshmëri sa më të gjatë”, tha Gashi.

Përfaqësuesja e programit Erasmus+ në Kosovë, Jehona Lushaku u shpreh optimiste për suksesin e këtij projekti, meqë, sipas saj, për jetësimin e tij janë bashkuar universitetet më prestigjioze nga vendet skandinave, dhe jo vetëm, si edhe institucione arsimore shumë të njohura nga Kosova.

“Mundësitë që ofrohen nga Erasmus+ janë të shumta, sidomos në aspektin e zgjerimit të bashkëpunimit dhe financimit, prandaj duhet të shfrytëzohen sa më shumë mundësitë që i ofron Erasmus+ për të realizuar projektet dhe idetë tuaja”, përfundoi Lushaku.

Në pjesën e dytë të këtij takimi, të pranishmit mbajtën fjalime të shkurtra me natyrë prezantuese për institucionet partnere të këtij konsorciumi, për të vazhduar tutje me prezantimin e qëllimit, objektivave dhe pritjet nga projekti, aktivitetet që do të organizohen, punën që do të kryhet dhe rolin e secilit partner në këtë proces, etj.

Partnerë implemetues në këtë projekt janë: NTNU University – Norvegji, SEERC – Greqi, Linneaus University – Suedi, UBT – Kosovë, Universiteti i Prishtinës – Kosovë, Universiteti i Prizrenit – Kosovë, Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë. Po ashtu, si partnerë të asociuar do të jenë të përfshirë edhe Agjencia e Kosovës për Akreditim, Kosbit Industry dhe BPB Bank.

Të ngjashme