Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është bërë hapja solemne e Konferencës Ndërkombëtare “IFAC International Conference on Technology, Culture and International Stability, TECIS 2022”, e cila këtë vit përmes UBT-së si nikoqire për herë të parë po organizohet në Kosovë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mirëpriti në UBT profesorë dhe studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët i falënderoi për pjesëmarrjen, duke potencuar rëndësinë e organizimit të konferencave të tilla me karakter shkencor, inovativ dhe teknologjik.
“Në këtë konferencë do të prezantohen temat të cilat, si në të sotmen, ashtu edhe në të ardhmen janë shumë të rëndësishme në përmirësimin e zhvillimit të qëndrueshëm, në stabilitetin shoqëror, rritjen e vendeve të reja të punës, si dhe në zhvillimin e inovacionit. Kjo konferencë do të ngërthejë në vete teknologjinë, kulturën dhe stabilitetin ndërkombëtar, prandaj si e tillë tregon rëndësinë e madhe të organizimit të saj kur ka bazë dhe përbërje shoqërore”, u shpreh rektori Hajrizi.
Profesori ndërkombëtar nga Universiteti i Teknologjisë së Vjenës, Peter Kopacek, duke falënderuar UBT-në për mikpritjen dhe organizimin e kësaj konference, i uroj pjesëmarrësit të realizojnë një konferencë të suksesshme dhe të bëjnë një eksperiencë të mirë në Prishtinë.
“Ne do të mundohemi të bëjmë një program shumë interesant dhe të rëndësishëm, duke trajtuar tema të ndryshme që do të jenë në dobi të shoqërisë”, tha profesori Kopacek.
Ndër të tjera, në emër të komunitetit ndërkombëtar TECIS, bordit teknik të IFAC dhe komunitetit shkencor dhe industrial të IFAC, Larry Stapleton falënderoi rektorin Hajrizi dhe UBT-në për mikpritjen dhe për organizimin e kësaj konference në Kosovë.
“Ne falënderojmë UBT-në për organizimin e kësaj konference në Kosovë, në të cilën do të trajtohen tema të ndryshme që kanë të bëjnë me digjitalizimin, transformimin digjital të shkencës, për industrinë 4.0, robotikën, kulturën digjitale, si dhe për stabilitetin ndërkombëtar”, u shpreh Stapleton.
Profesoi i UBT-së dhe zyrtari i pajtueshmërisë në KEDS, Avni Alidemaj u uroi pjesëmarrësve një konferencë të suksesshme, duke theksuar nevojën për organizimin e konferencave të tilla në dobi të shoqërisë dhe studiuesve shkencorë.
Për herë të parë në Kosovë, UBT së bashku më Universitetin e Teknologjisë të Vjenës (Vienna University of Technology, IHRT), për tre ditë radhazi organizon Konferencën “IFAC International Conference on Technology, Culture and International Stability, TECIS 2022”.
Kjo konferencë mbështetet nga International Federation of Automatic Control (IFAC), në të cilën do të trajtohen tema dhe punime shkencore rreth stabilitetit të sistemit ndërkombëtar në saje të zhvillimit të teknologjisë dhe ndryshimeve dramatike të këtij sistemi, përderisa vlen të theksohet se punimet dhe publikimet e kësaj konference do të indeksohen dhe listohen në Scopus.