Një familje pagoi një të huaj për plot 13 vjet që të hiqej si vajza e vdekur e gjyshes së tyre, në mënyrë që ta mbronin nga tronditja e humbjes së një fëmije.
He Fury, e cila u nga jeta së fundmi në moshën 100 vjeçare, nuk e mori vesh kurrë se vajza e saj kishte vdekur nga kanceri në vitin 2003, pasi familja e saj besonte se nuk do të mund ta përballonte dhimbjen.
Kështu që ata gjetën një “zëvendësuese”, e cila e telefononte vazhdimisht për ta pyetur për familjen dhe për ta uruar për ditëlindje.
Mbesa e He, Cheng Ling duke folur për mediat kineze, tha se gjyshja kishte qenë shumë e lidhur me nënën e saj, Cheng Congrong, e cila vdiq në moshën 69-vjeçare.
Siç shkruan britanikja “The Telegraph”, gruaja jetonte në provincën Sichuan, në jugperëndim të Kinës. E bija Cheng ishte shpërngulur në provincën veriore të Shaanxi, por kishte mbajtur kontakt vazhdimisht me të ëmën, fillimisht me letra e më pas me telefon.
Problemet nisën 10 muaj pasi Cheng ndërroi jetë dhe familja u gjet në vështirësi për t’i treguar të moshuarës se ajo kishte vdekur.
Ata postuan një njoftim në një gazetë ku kërkuan për një grua e cila të kishte zë të ngjashëm me të ndjerën dhe që do të ishte e gatshme të bisedonte në telefon me He.
Cheng Ling rrëfeu se shumë gra kishin telefonuar për pozicionin e pazakontë të punës, por në fund kishin gjetur dikë që jo vetëm kishte zërin e ngjashëm me nënën e saj të ndjerë, por fliste edhe me një theks të ngjashëm me të.
Ata i dhanë asaj të dhëna të mjaftueshme të familjes në mënyrë historia e saj të ishte e besueshme dhe gjyshja të mos e merrte vesh që në fakt nuk po fliste me të bijën. Ndonëse kishte pasur dyshim, si në fillim ashtu edhe ditët e fundit të vdekjes së saj, He nuk e mori vesh kurrë të vërtetën.