Shtabi Zgjedhor i Degës tashmë është në përgatitjet intensive për zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të 14 shkurtit.
Në kuadër të parapërgatitjeve është duke i vizituar shtabet lokale nëpër nëndegë, me qëllim të mobilizimit të strukturave të PDK-së. Si gjithmonë strukturat e PDK-së po tregohen të gatshme, që të mobilizohen për këto zgjedhje më shumë se çdo herë tjetër.
Në takim me strukturat e nëndegës ‘’Korishë’’ bashkë me shefin e shtabit zgjedhor Shaqir Totaj, ishin të pranishëm edhe kandidatët për deputetë, të propozuar nga Dega e PDK-së në Prizren, të cilët në bashkëbisedim me strukturat e nëndegës ‘’Korishë’’ biseduan për mënyrën e shpërndarjes së programit të PDK-së, që në fakt është i vetmi program për rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës dhe të sektorëve tjerë.
Strukturat e nëndegës së PDK-së në Korishë, u zotuan se do të jenë të gatshme, që programoi i PDK-së të shpërndahet në çdo familje, derë më derë, pasi për shkak të pandemisë nuk do të ketë mundësi të mbahen tubime madhështore. Korisha dhe korishasit e kanë kuptuar me kohë se oferta e PDK-së është oferta më serioze dhe se do të bëjnë ç‘mos që ta përkrahin programin e saj.
Strukturat e nëndegës ‘’Korishë’’ gjithashtu bashkëbiseduan edhe me kandidatët për deputetë të propozuar, që ishin të pranishëm, dhe treguan zhgënjimet e tyre në qeverisjen lokale dhe atë qendrore. Ndërsa deputet e pranishëm theksuan nevojën e mobilizimit të strukturave të PDK-së si kurrë më parë, sepse Kosova është e sigurt vetëm atëherë kur udhëhiqet nga vizioni largpamës dhe shtetformues i PDK-së.
Shtabi Zgjedhor i Degës së PDK-së sot do të mbaj një varg takimesh me strukturat e nëndegëve si dhe do të bëjë pranimin e dhjetëra anëtarëve të rinj në radhët e PDK-së, që po e përkrahin programin dhe vizionin e rimëkëmbjes.