GIZ-i në Kosovë dhe Kolegji “Heimerer”, kanë nënshkruar projektin në vlerë prej 200 mijë euro për zbatimin e masave të menaxhimit të higjienës, si masë parandaluese për përhapjen e Coronavirusit, raporton Ekonomia Online.
Qëllimi i projektit është që të rris në mënyrë të konsiderueshme sigurinë e pacientëve dhe stafit në spitalet publike në vend dhe do të parandalojë përhapjen e Coronavirusit brenda këtyre institucioneve.
Ambasadori gjerman, Christian Heldt, tha se për ta luftuar pandeminë duhet ndihma e gjithsecilit.
“Jam shumë i lumtur që gjendem sot këtu që ta prezantojmë këtë projekt në vlerë prej 200 mijë euro e që do të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.Ajo që ne synojmë si qeveri gjermane është mbështetja e synuar për të ndihmuar vendet partnere dhe strukturat në trajtimin e pandemisë, si dhe pasojave ekonomike. Një faktor kyç këtu është sektori i kujdesit shëndetësor. Pra, bëhet fjalë për përmirësimin e sigurisë për pacientët, për punonjësit e kujdesit shëndetësor që çdo ditë janë në front duke u përpjekur të shpëtojnë jetë dhe në përgjithësi promovimin e standardeve të shëndetit dhe sigurisë në Kosovë. Kjo është thelbësore për të përmirësuar dhe zbutur pandeminë. Por edhe në fund, në mënyrë të qëndrueshme për të zhvilluar cilësinë e kujdesit shëndetësor në këtë vend”, tha ambasadori.
Drejtori i GIZ-it në Kosovë, David Oberhuber, tha se qëllimi i tyre është që t’i bashkohen botës në parandalimin e kësaj pandemie, për të cilën tha se bashkërisht do ia dalim.
“Roli kryesor në këtë do të jetë kolegji Heimerer padyshim që është një nga trajnuesit kryesorë të kujdesit shëndetësor në këtë fushë për profesionistët e kujdesit shëndetësor këtu në vend, dhe ne jemi të lumtur që mund t’ju përdorim për të punuar me të vërtetë me spitalet, të cilët tani kanë nevojë për këtë mbështetje në përcaktimin e standardeve shëndetësore ashtu siç kërkohen për COVID-19”, tha ai.
E drejtori i Kolegjit “Heimerer”, Petrit Beqiri, tha se ky grant në vlerë prej 200 mijë eurosh do të jetë ndihmë e madhe për ta, raporton EO.
“Këtu në Kosovë, sistemi ynë i kujdesit shëndetësor duhet të përballet me këtë sfidë me vështirësi shtesë, fonde, pajisje dhe përgatitje të kufizuara. Prandaj jemi krenarë që ekipi Heimerer në bashkëpunim me partnerin tonë nga GIZ ishin në gjendje në kohë rekord të hartojnë një projekt i cili do të mbështesë institucionet shëndetësore dhe punonjësit e shëndetit në luftën e tyre të përditshme me COVID-19”, tha ai.
Ky projekt është pjesë e një programi që u vu në zbatim nga GIZ-i menjëherë pas fillimit të pandemisë dhe është si përgjigje e Gjermanisë për të minimizuar ndikimin e virusit.