Nescafe rrezikon shëndetin e popullit

Prishtinë | 08 Dhj 2020 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Produkte me mbetje të peroksid-hidrogjenit, të cilat konsiderohen me rrezik të lartë, janë gjetur duke u shitur në tregun kosovar. Këto produkte në Kosovë janë importuar nga Franca. Mijëra prej tyre janë asgjësuar të hënën, megjithatë nëse tashmë qytetarët i kanë blerë, duhet t’i kthejnë në vendin e blerjes.

Në dy lloje të produkteve që shiten në marketet kosovare, të importuara nga Franca, janë gjetur mbetje të dezinfektuesit (peroksid hidrogjen).

Në dokumentin e siguruar nga Express, bëhet e ditur se rreziku në këto produkte është i lartë.
Se këto produkte janë të rrezikshme, për Express e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se janë urdhëruar inspektorët t’i kontrollojnë importuesit dhe të ndalojnë qarkullimin në treg të këtyre produkteve të dyshimta.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përmes sistemit RASFF me datë 04.12.2020 ka pranuar një lajmërim për dyshime në prezencë të Mbetjeve të dezinfektuesit në produktet e qumështit – prania e mundshme e mbetjeve dezinfektuese (peroksid hidrogjeni). Për produktet e brendeve NESQUICK SHAKE; GALAK SHAKE; NESCAFE SHAKE; NESCAFE CAPUCINO; NESCAFE EXPRESSO; LIEGEOIS; produkte me data të skadimit 26.01.2021 dhe 27.01.2021 vendi i origjinës Francë. Në Kosovë nga kjo fabrikë janë eksportuar vetëm dy lloje të produkteve: NESQUICK SHAKE dhe Nescaffe Shakssimo. Menjëherë pas pranimit të njoftimit janë urdhëruar inspektorët për kontroll tek importuesi dhe ndalimit të qarkullimit në treg të produkteve të dyshimta”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka thënë se, të premten, janë gjetur dy lloje të produkteve që janë importuar dhe janë marrë masat për largimin e tyre nga tregu.

Po ashtu, Thaçi thotë se njëri prej produkteve ka qenë në treg, ndërsa tjetri produkt nuk ka dalë ende në treg.

“Të premten Inspektorët kanë gjetur dy lloje të produkteve që janë importuar dhe nga importuesi janë njoftuar se menjëherë kanë ndërmarrë masat për tërheqjen nga tregu të produktit Nesquik Shake 180 ml me datë skadence 27/01/2021. Ndërsa produkti tjetër me të njëjtin problem Nescaffe Shakissimo Espresso 180 ml me datë skadence 26/01/2021 nuk ka dalë në treg dhe e gjithë sasia ka qenë në depo. Të premten është bërë tërheqja e gjithë sasisë e cila ka qenë në treg e njërit prej produkteve dhe bashkërisht me sasinë tjetër e cila është gjendur në depo është asgjësuar sot. Asgjësimi është kryer në prani të Inspektorëve Sanitar të AUV-së”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, sot janë asgjësuar mbi 2 mijë copë Nesquick dhe mbi 1500 copë Shakssimo.

“Sasia e produkteve të asgjësuara është: Nesquick caffe 2033 copë x 180 ml; Nescaffe Shakssimo 1600 x 190ml”, ka thënë Thaçi.

Megjithatë, ai ka thënë se nëse qytetarët i hasin këto produkte në markete, duhet të lajmërojnë AUV-in, derisa ata që tashmë i kanë blerë, duhet t’i kthejnë ato në vendin e blerjes.

“Njoftohen të gjithë konsumatorët se kudo që hasin produktet NESQUICK SHAKE dhe Nescaffe Shakssimo me origjinë nga Franca me afat skadimi 26.01.2021 dhe 27.01.2020, sikurse në raportim të lajmërojnë AUV-në, ose konsumatorët qe i kanë blerë këto produkte t’i kthejnë në vendin e blerjes”, ka deklaruar Thaçi.

Të ngjashme