Nesër fillon dezinsektimi në Prishtinë

Prishtinë | 31 Maj 2018 | 11:54 | Nga

Nesër do të fillojë faza e parë e dezinsektimit hapësinor për vitin 2018 në Komunën e Prishtinës. Kjo ditë është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe kompanisë që do ta kryejë këtë proces.

Për herë të parë ky proces do të kryhet në gjashtë faza duke përfshirë kështu gjithë sezonën gjatë së cilës janë aktive mushkonjat dhe insektet e tjera.

Duke u bazuar ne këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6500 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve. Edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 24:00, sipas datave të mëposhtme nëpër lagjet e caktuara:

01.06 : Aktash, Lagjja e Muhaxherëve, Parku i Qytetit, Vellushë (Blloqet-Shtëpia e Pleqve), Qendra e Qytetit, Qyteza Pejton, Arbëria, Tophane;

02.06: Lakrishte, Dardania, Ulpiana, Prishtina e Re (Veternik), Zona Industriale, Lagjja Nic dhe Kazerma Adem Jashari.;

03.06: Bregu i Diellit, Lagjja e Spitalit, Kalabria dhe Kodra e Trimave;

04.06: Taslixhe, Velani, Mat, Sofali, Taukbahqe, Gërmi dhe Vneshtat;

05.06: Bërnicë e Epërme dhe Bërnicë e Poshtme, Barilevë, Besi, Bardhosh, Kolovicë dhe Kolovicë e Re, Prugovc, Teneshdoll dhe Vranidoll.

Në mënyrë që ky proces të ketë sukses, dezinsektimi do kryhet në orët kur këto insekte janë më aktivet, nga ora 19:30-24:00. Gjatë kohës së dezinsektimit, qytetarët duhet t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda dhe të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi së paku për një orë. Gjithashtu apelohet te shoqatat e bletarëve, për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe.

Bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për rezultatet e këtij procesi. Andaj, luten të gjithë qytetarët për bashkëpunim në mënyrë që ky aktivitet të jetë sa më i suksesshëm.

Të ngjashme