Nesër fillon dezinsektimi në Prishtinë

Prishtinë | 26 Maj 2017 | 17:06 | Nga

Komuna e Prishtinës nesër  fillon dezinsektimi hapësinor. Kjo ditë është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompanisë dhe pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje, për arsye se reshjet gjatë procesit të dezinsektimit e bëjnë të paefektshëm aksionin.

Duke u bazuar ne këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6000 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve. Edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 24:00, sipas datave të mëposhtme nëpër lagjet e caktuara:

27.05 : Aktash, Lagjja e Muhaxherrëve, Parku i Qytetit, Vellushë (Blloqet-Shtëpia e Pleqve), Qendra e Qytetit dhe Qyteza Pejton.

28.05: Arbëria, Tophane, Kodra e Trimave, Vreshtat dhe Kolovica.

29.05: Lakrishte, Dardani , Ulpianë, Prishtina e Re (Vetërnik) , Zona Industriale , Lagjja Nici dhe Kazerma Adem Jashari.

30.05: Bregu i Diellit, Lagjja e Spitalit dhe Kalabria .

31.05: ​ ​Taslixhe, Velani, Mat, Sofali, Taukbahqe dhe Gërmi.
01.06: Hajvali, Mram​o​r, Barilevë, Bërnicë, Besi, Bardhosh.

Bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për suksesin e këtij procesi. Andaj luten të gjithë qytetarët për bashkëpunim në mënyrë që ky aktivitet të jetë sa më i sukseshëm. Gjatë kohës së dezinsektimit, qytetarët duhet t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda dhe të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi së paku për një orë. Gjithashtu apelohet te shoqatat e bletarëve , për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe.

Monitorimi i këtij procesi nga ana e Komunës së Prishtinës do të jetë i vazhdueshëm, dhe në bashkëpunim me qytetarët do ta japim maksimumin për një dezinsektim sa më efektiv.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme