Nesër ndahen 210 pako ushqimore-higjienike në Drenas

Prishtinë | 19 Pri 2020 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Drenasit, ditë me parë, ka pranuar donacion 210 pako ushqimore-higjienike në vlerë prej 10 mijë euro nga Newco Ferronikeli L.L.C dhe këto pako do të ndahen ditën e hënë (20.04.2020) duke filluar nga ora 08:30 për familjet ne nevojë të fshatrave, Tërstenik I dhe II, Vërboc e Shtuticë.

Familjet përfituese janë përzgjedhur nga administratorët e këtyre vendbanimeve në bashkëpunim me kryesinë e fshatrave.

Komuna e Drenasit fton administratorët e këtyre fshatrave dhe familjet përfituese që janë të njoftuara nga administratorët, që nesër (e hënë) të dalin për t’i pranuar pakot në shkollat e fshatrave.

Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar të gjithë administratorët për bashkëpunimin dhe punën që po e bëjnë për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga pandemia globale e COVID-19. Njëherit, ai fton për përgjegjësi gjatë përpilimit të listave, pasi që i gjithë autoriteti për të vendosur se cila familje të jetë përfituese, është e tyre në bashkëpunim me kryesitë e fshatrave që janë edhe nënshtabe lokale, pra ndihma të orientohet aty ku është e nevojshme sipas prioritetit të radhës.

Gjatë ndarjes së këtyre pakove, do të jetë edhe Komisioni i caktuar për monitorimin e ndarjes së pakove nga Qendra për Punë Sociale.

Kujtojmë që deri më tani, nga mjetet buxhetore të komunës dhe donatorëve janë ndarë mbi 1200 pako ushqimore-higjienike, ndërsa të gjitha familjet që janë në asistencë sociale, para disa ditësh janë furnizuar me nga një thes me miell të 25kg, pra gjithsej janë ndarë 27.500 kg me miell, donacion nga bizneset.

Nga fillimi i kësaj jave që po hyjmë, Komuna e Drenasit do të ndajë edhe 2000 pako ushqimore-hixhienike për familjet në nevojë, nga buxheti i komunës i ndarë në mbledhjen urgjente të Kuvendit të Komunës. ​

Të ngjashme