Rinumërimi i 280 kutive të votimit do të përfundojë nesër. Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se në bazë dinamikës së punës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, procesi do të përfundojë të premten.
“Jemi informuar nga koordinatori i Qendrës së nesër përfundimisht do të përfundojë rinumërimi i votave dhe rezultateve. Besojmë që nesër përfundimisht do t’i rinumërojmë të gjitha kutitë”, ka thënë ajo.
Daka ka sqaruar se të shtunën do të fillojë numërimi i votave me kusht, votave nga diaspora por edhe votave të personave me nevoja të veçanta.
“…të shtunën do të fillojmë t’i numërojmë edhe votat me kusht, edhe nga diaspora por edhe ato votat e personave me nevoja të veçanta. Dhe pas numërimit të këtyre votave bëhet shpërndarja e të gjitha votave dhe e dimë saktësisht se kush është deputet dhe subjektet politike sa përqindje kanë”, është shprehur Daka.
Sa i përket certifikimit të rezultateve, Daka, ka thënë se ky proces do të përfundojë në fund të muajit, raporton EO.
“Nëse gjithçka shkon në rregull dhe nuk kemi ndonjë ankesë atëherë fundi i këtij muaji mund të certifikojmë, por nëse kemi ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme atëherë kjo mundet me zgjatë por që nuk mundemi me paragjykuar situatën”, tha ajo.