New Yorku në kaos total pas fitores historike të Knicks në NBA

Prishtinë | 14 Qer 2026 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Festimet për titullin e parë të New York Knicks në NBA pas më shumë se 50 vjetësh u shndërruan në kaos në rrugët e New Yorkut.

Pas fitores 94-90 ndaj San Antonio Spurs, mijëra tifozë dolën në rrugë për të festuar, por situata doli jashtë kontrollit në orët e para të mëngjesit.

Sipas BBC, pranë Times Square u raportuan të shtëna me armë zjarri, ku një 17-vjeçar mbeti i plagosur në këmbë, transmeton Klankosova.tv.

Sipas policisë, pesë autobusë shkollorë u dëmtuan ose u dogjën, ndërsa në shënjestër të turmave u bënë edhe automjetet e policisë.

Autoritetet raportuan gjithashtu raste therjesh me thikë, përleshje, dëmtime të pronës private dhe përdorim fishekzjarresh.

Policia e New Yorkut bëri të ditur se 63 persona u arrestuan për vepra të ndryshme, përfshirë sulm ndaj zyrtarëve policorë, posedim armësh dhe dëmtim prone.

Gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e turmave, dhjetë oficerë policie mbetën të lënduar.

Pavarësisht incidenteve, autoritetet kanë konfirmuar se parada zyrtare për festimin e titullit do të mbahet të enjten në New York.

Të ngjashme