Neymari e ka pësuar një lëndim të rëndë në humbjen e Paris Saint-Germain kundër Lyonit të dielën në Ligë 1.
Ylli brazilian Neymar po përjetonte dhimbje të mëdha kur u nxor nga fusha me barelë, pas një ndërhyrjeje tejet të ashpër që Thiago Mendes e bëri ndaj tij, transmeton Gazeta Express.
Tinotenda Kadewere e shënoi golin e vetëm në ndeshje, që i mjaftoi Lyonit ta mundë kampionin në fuqi.
Kjo fitore bën që Lyoni t’i bashkohet Lille në krye të renditjes tabelore në ligë, me një pikë më shumë se skuadra e Thomas Tuchel.
Por PSG-ja do ta mësojë më vonë se cili është dëmi i vërtetë i ndeshjes së fundjavës, pasi rrezikon ta humbasë lojtarin kryesor.
Neymari mori tretman mjekësor në fushë në nyjën e këmbës, të cilën Mendes ia vuri keq pas një ndërhyrjeje të pakujdesshme, por nuk mundi ta vazhdojë ndeshjen.
Ai përjetoi dhimbje të mëdha dhe u largua nga fusha i përlotur.