Përmes një komunikate për media, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se që nga data 1 qershor, qytetarët që kanë gjoba për kundërvajtje në trafikun rrugor, nuk do të mund ta bëjnë regjistrimin e automjeteve të tyre.
Ky është njoftimi i plotë i MPB-së:
Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se duke filluar nga data 1 qershor 2018, nuk mund të bëjnë regjistrimin e automjeteve të tyre, pa i paguar gjobat që mund t’i kenë për kundërvajtjet e shkaktuara në trafikun rrugor.
Sipas Ligjit për Automjete, Nr. 05/L-132, neni 43, pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor.
Ky vendim i shërben rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të pagesave të gjobave për veprat kundërvajtesë në trafik.
Po ashtu, qëllim i këtij vendimi është parandalimi dhe zvogëlimi i numrit aksidenteve në trafik.