Nga fletushkat në Kaçanik te rasti i dhunimit: Bashkëshortja e Muhamet Likës përmend rastet që ai kishte hetuar

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Violeta Mulaku-Lika, bashkëshortja e të ndjerit, policit Muhamet Lika, ka nisur dëshminë e saj në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku ka folur për zhvillime dhe detaje që lidhen me rastin ndaj të akuzuarve, si dhe për marrëdhënien e saj me Muhamet Likën, raporton Ekonomia Online.

“Me Muhametin kurrfarë problemi asnjëherë, asnjë fjalë nuk e kam pasë. Ka qenë një dashuri dhe respekt i dyanshëm. Muhametin e kam njohur prej 2003 kur ka qenë në punë polic që ka filluar, edhe unë prej 2003, 2004, kam filluar punë, prej atëherë e kam njohur si polic, zyrtar policor, njeri shumë i mirë, shumë i kujdesshëm, shume i sjellshëm, kurrë një fjalë se kam dëgjuar për të”

Gjatë dëshmisë së saj, Violeta ka treguar se ai i kishte rrëfyer asaj për raste që i kishte përcjellë gjatë punës së tij.

“Nuk e kam vërejtur asnjë moment, diçka që m’ka ardhë në shtëpi, m’ka tregu, diçka për punë, për darkë me ngrënë që s’ka mundur të vijë, m’ka tregu që për shkak që e kam këtë rast, e kam këtë vjedhje”, tha ajo.

Ajo ka përmendur ndër të tjera rastin e shpërndarjes së fletushkave në Kaçanik për mosfestimin e Vitit të Ri, si dhe një rast tjetër të dhunimit, për të cilin ka deklaruar se ishte ndjekur nga Muhamet Lika.

Ajo gjithashtu ka pranuar se i ka njohur të akuzuarit, përveç Diamant Gashit.

“Po, në përjashtim të Diamant Gashit nuk e kam njohur, këta tjerët i kam njohur shumë mirë. Haki Belën, Rilind Muratin, Shkëlqim Kukën, i kam njohur si klientë në lokal, në vendet e punës edhe që janë praktikues ekstremë të fesë. Vatan Çakën e kam njohur për vepra penale; vjedhje, ku atë akt e ka kryer shumë herë edhe në lokalin ku kam punuar, si fëmijë e kohë e gjatë. Edmond Likën e kam njohur si punëtor që ka punuar në lokalin në fshatin Shtrazë, që ka qenë në emër të Muhametit”, u shpreh ajo.

Të ngjashme