Vrasja që tronditi LDK-në, Shkëmb Manaj kërkon drejtësi për babain e tij Shaban Manaj

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Shkemb Manaj ka përkujtuar 26-vjetorin e vrasjes së babait të tij, veprimtarit të LDK-së dhe Heroit të Kosovës, Shaban Manaj.

Përmes një postimi, Manaj ka thënë se mungesa e babait të tij ndihet çdo ditë, ndërsa kujtimi për jetën, veprën dhe sakrificën e tij vazhdon të mbetet i gjallë.

Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që ndër vite kanë nderuar figurën e Shaban Manajt, përfshirë drejtues të institucioneve, përfaqësues të LDK-së, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë nga Kosova e diaspora.

Tutje, Manaj ka kujtuar faktin se babai i tij u vra për shkak të bindjeve të tij politike dhe angazhimit për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, duke qëndruar përkrah presidentit historik Ibrahim Rugova.

“Shaban Manaj u vra sepse besonte në Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur. U vra sepse qëndroi besnik në krah të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, duke mos u lëkundur edhepse ishte i vetëdijshëm që ky përcaktim i kushtonte me kokën e vet. Vrasja e tij, si edhe e shumë veprimtarëve të tjerë të LDK-së, ishte një plagë për vetë Kosovën”, ka shkruar mes tjerash ai.

Të ngjashme