Policia e Shtetit ka bërë apel për rritje të masave të sigurisë për shkak të përkeqësimit të parashikuar të kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike gjatë datave 24–25 korrik 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga mesdita e datës 24 korrik deri në paraditen e 25 korrikut, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që planifikojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, këshillohen të shmangin daljet në det për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, shkruan rtsh.al.
Drejtuesve të mjeteve lundruese u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar, të vlerësojnë situatën meteorologjike dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të personave në bord.
Policia e Shtetit ka apeluar gjithashtu për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve e motomjeteve gjatë ditës së nesërme, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Drejtuesit e mjeteve rrugore këshillohen të respektojnë rregullat e qarkullimit, kufijtë e shpejtësisë, distancën e sigurisë dhe të shmangin manovrat e rrezikshme, veçanërisht në kushtet e reshjeve ose lagështirës në rrugë.
Edhe këmbësorëve u bëhet thirrje të tregojnë vëmendje të shtuar gjatë lëvizjes, me qëllim shmangien e incidenteve.
Policia e Shtetit u kërkon të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe rrugore të tregojnë kujdes maksimal, jo vetëm gjatë këtij harku kohor, por në vijimësi, për rritjen e sigurisë së jetës.