Gucati për dënimin ndaj Eqrem Avdullahut: Shpresoj që të tjerët të mbledhin mend

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, është shprehur i kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Drenas, e cila e dënoi me katër muaj burgim efektiv Eqrem Avdullahun nga Rahoveci, i akuzuar për veprën penale “kanosje” ndaj tij, raporton Ekonomia Online.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Gucati tha se e respekton vendimin e gjykatës dhe shpreson që ai të shërbejë si mesazh për të tjerët që përdorin gjuhë fyese e kërcënuese në rrjetet sociale.

“Unë e thashë edhe në fillim, çdo vendim që merr gjykata unë e pajtoj, ashtu siç pajtoj çdo vendim që merr gjykata e pajtoj, kështu është vendimi i gjyqtarit. Unë pajtoj me gjyqtarin, e me gjykatën, 4 muaj burg efektiv. Kjo është mirë që të mbledhin mend të gjithë ata të tjerët, që të kenë kujdes në rrjetet sociale, të mos fyejnë, të mos shkruajnë palidhje edhe të mos shkruajnë pa fakte. Nëse s’kanë fakte e argumente, pse me e fyer një njeri apo një person pa nevojë? Kështu që për mua unë pajtoj, të thashë edhe në fillim, pajtoj me gjyqtarin që e dha katër muaj burg efektiv. Edhe inshallah këta të tjerët mbledhin mend edhe nuk fyejnë më njerëzit, apo qytetarët nuk fyejnë”, tha ai.

Ai bëri të ditur se përveç këtij rasti, ka iniciuar padi edhe ndaj personave të tjerë për fyerje dhe kërcënime.

“Po, kam edhe nja 16-17 veta që i kam paditur… i kam ngritë padi bashkë me avokatin, që e kam avokatin që ma ka kryer punën. Po ka edhe të tjerë, kam thënë, ka edhe nga qytetet e ndryshme edhe nga komunat e ndryshme ka edhe të tjerë të cilët kam ngritur padi. Shumica prej tyre janë jashtë vendit, që punojnë në Gjermani, në Zvicër, shumica janë jashtë vendit”, u shpreh Gucati.

Duke komentuar mungesën e të akuzuarit në seancën ku u shpall aktgjykimi, Gucati tha se kjo, sipas tij, tregon se ai e ka ndjerë veten fajtor.

“Kjo të lë me dyshu edhe me vërtetu faktin që ky njeri e ka ndjerë veten fajtor, e ka ndjerë veten shumë keq. Që e ka tash po ta jap pozicionin e tij, që s’ka mundur me u ballafaqu se e ka ndjerë veten si fajtor edhe e ka ditur përgjegjësinë e vet se çfarë ka, edhe s’ka ardhur sot këtu në seancë. Mua më vjen keq së pari prej djemve të tij, që disa djem të tij më kanë thirrur në telefon, më kanë shkruar, më kanë lajmëruar që kanë kërkuar falje u ka ardhur keq. Po kur e ka babën tw atij tipi, më mirë baba mos me u kërku jashtë ashtu se është turp për atë plak, po them plak se në moshën 70-vjeçare me ia shku me u kthy një familje, djemve e kësaj, e mos me kqyr punën e vet. Ai është në Rahovec e unë në Skënderaj atë njeri s’e kam njohur as baba, as babagjyshi, as unë personalisht s’e kam njohur. Kështu që, çfarë të them, një njeri i keq i bën telashe edhe familjes edhe rrethit. Kështu që, mua më vjen keq prej djemve të tij në radhë të parë. Për atë plakun s’më vjen keq fare. Jo, për atë s’më vjen keq hiç. Ai ka marrë atë çfarë meriton, ndoshta është dashur më shumë, po unë pajtohem me gjyqtarin, atë çfarë ka bërë sot Gjykata e Drenasit unë pajtohem tërësisht”, thotë ai.

Pas përfundimit të seancës foli edhe avokati i Gucatit, Halim Shala, i cili sqaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin kërkuar të sqarohej nëse pas kërcënimit qëndronte edhe ndonjë person tjetër.

“Jo, nuk kemi dyshime. Atë e kemi potencuar, por ka qenë kërkesë e jona për faktin se i njëjti është i moshuar dhe përdorimin e pajisjeve nuk e kemi ditur sa ka mundësi ky me i përdorë, prej rrjetit social që është kërcënuar zoti Gucati. Mirëpo sot gjykata e dha verdiktin e vet, të cilin ne e presim edhe në formë të shkruar dhe ne do t’i përgjigjemi në kuadër të ligjit me mjetet tona juridike, në raport me të drejtën pasurore juridike, sa i përket dëmit që i ka shkaktuar zotit Gucati dhe familjes së tij”, tha Shala.

Të ngjashme